Infektuar: 9049|Shëruar: 4979|Vdekur: 256

Trump do të veprojë kundër aplikacionit kinez TikTok

Këshilltari për tregti në Shtëpinë e Bardhë, Peter Navarro, tha se ai pret që presidenti amerikan, Donald Trump, të veprojë kundër aplikacioneve kineze TikTok dhe WeChat, në mes të një rritjeje të tensioneve midis Uashingtonit dhe Pekinit.

Trump javën e kaluar kishte thënë se ai po mendon të ndalojë aplikacionin e popullarizuar TikTok.

Në një intervistë për Fox News, Navarro argumentoi se "ajo që duhet të kuptojë populli amerikan është se të gjitha të dhënat që hyjnë në ato aplikacione shkojnë te serverët në Kinë, përkatësisht te Partia Komuniste Kineze”.

Ai tha se këto aplikacione mund të përdoren për të vjedhur pronën intelektuale.

"Pra, prisni veprime të fuqishme nga Trump”, paralajmëroi Navarro.

Aplikacioni për shpërndarjen e shpejtë të videos, TikTok i përket grupit kinez ByteDance dhe ka gati një miliard përdorues në të gjithë botën.

TikTok ka kërkuar të distancohet nga pronarët e saj kinezë, duke theksuar se ka një Drejtor Ekzekutiv amerikan dhe në mënyrë të vazhdueshme mohon pretendimet se ndan të dhëna me Pekinin.

WeChat, në pronësi të Tencent, është aplikacioni kryesor i mesazheve në Kinë me më shumë se një miliard përdorues.

Të premten kompania Amazon tha se gabimisht u dërgoi punëtorëve një email duke u thënë atyre që të heqin aplikacionin TikTok nga celularët e tyre, për shkak të shqetësimeve të sigurisë.

Një zëdhënës i Amazonit më vonë i tha AFP-së se "nuk ka asnjë ndryshim në politikat tona tani në lidhje me TikTok".

Ekipeve të fushatës së demokratëve për zgjedhjet presidenciale të SHBA-së u është kërkuar të shmangin përdorimin e TikTok në pajisjet personale dhe, nëse e përdorin, të mos e instalojnë atë në një telefon të punës.

Kompania hulumtuese eMarketer vlerëson se TikTok ka më shumë se 52 milionë përdorues amerikanë, raporton AFP.

LITERAL.MEDIA

Lajmet e fundit

Të rekomanduara

Ekonomi
Opinione
Take Me Top
Aktualitete Hulumtime Ekonomi Sport Shëndetësi Teknologji Opinione Rozë Kulturë Dossier 1001