Infektuar: 15142|Shëruar: 12674|Vdekur: 618

Rigjykimi për vrasjen në Rahovec, dëshmitari tregon se çfarë kishte parë natën kritike

Të enjten, në Gjykatën Themelore në Gjakovë, rigjykimi ndaj të akuzuarit për vrasje, Feriz Hoti, ka filluar me dëgjimin e dëshmitarit Bajram Morina.

Feriz Hoti po akuzohet se më 17 maj 2017, rreth orës 02:00, në fshatin Ratkoc të Rahovecit, me dashje e ka privuar nga jeta tani të ndjerin Hamdi Isufi.

Dëshmitari Morina deklaroi se natën kritike kur kishte ndodhur vrasja, kishte qenë me punëtorët e tij duke ngrënë byrek tek furra “Denisi”.

“Ka qenë pas orës 1:00, unë kam qenë me shpinë kah vendi i ngjarjes kur ka ndodhur rasti. Momenti kur kam dëgjuar zëra njëherë apo dy herë nuk më kujtohet, kam menduar se është ndonjë lojë e fëmijëve. Kam vërejt duke ngajtë tre persona dhe momentin që kam dëgjuar fjalët “ndal, ndal”, kam dëgjuar edhe krismat”, tha dëshmitari Morina.

Ai shtoi se pasi që i kishte dëgjuar krismat është kthyer nga vendi i ngjarjes dhe i ka vërejtur tre persona të veshur me rroba të zeza, duke vrapuar në drejtim të fshatit Vrajak, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Dëshmitari tutje tregoi se e ka parë një person duke ra në tokë nga ata tre që ishin, e se më pas e kishte vërejtur një person të veshur me rroba të bardha, mirëpo tha se nuk i kujtohet mirë pasi që kishte qenë 200-300 metra larg.

Prokurori Ali Uka e pyeti dëshmitarin se a e ka vërejtur atë person të veshur me të bardha duke shtënë me armë, mirëpo dëshmitari tha se jo.

Dëshmitari tregoi se personi me të bardha kishte pasur diçka në dorë, mirëpo nuk e di se çka.

E pas kësaj, prokurori Uka e ballafaqoi dëshmitarin me dëshminë e tij që e kishte dhënë në prokurori, ku kishte thënë se e kishte parë personin me të bardha me armë në dorë, por dëshmitari Morina insistoi se nuk e di se çka ka pasur në dorë personi me rroba të bardha.

Më pas, dëshmitari Morina është ballafaquar me të akuzuarin, për të cilin tha se nuk i përngjan me personin të cilin e kishte parë në natën kritike, mirëpo shtoi se të akuzuarin e njeh si figurë.

Gjykatësi Gëzim Pozhegu ka caktuar 24, 26 dhe 28 gushtin për mbajtjen e seancave të radhës.

Ndryshe, Gjykata Themelore në Gjakovë në shtator të vitit 2018, të akuzuarin Hoti e kishte liruar nga akuza për vrasje dhe armëmbajtje pa leje në mungesë të provave.

E kundër këtij vendimi ankesë në Gjykatën e Apelit kishte ushtruar Prokuroria Themelore në Gjakovë.

Më pas, Gjykata e Apelit me 7 maj 2019, e ka aprovuar ankesën e Prokurorisë Themelore në Gjakovë, duke e kthyer kështu në rigjykim dhe vendosje rastin në fjalë.

Sipas Apelit, aktgjykimi i shkallës së parë duhet anuluar dhe në rigjykim duhet që për vërtetim sa më të plotë të gjendjes faktike të bëhet edhe ballafaqimi i dëshmitarit Bajram Morina me të akuzuarin Feriz Hoti, dhe i njëjti të deklarohet se a është i akuzuari personi i cili ka gjuajtur me armë, ngase dëshmitari ka deklaruar se vendi ku ka ndodhur ngjarja ka qenë me ndriçim dhe se ka mundur ta sheh se a është ky person që ka gjuajtur me armë apo jo.

Sipas aktakuzës, Feriz Hoti, akuzohet se më 17 maj 2017, rreth orës 02:00, në fshatin Ratkoc të Rahovecit, me dashje e ka privuar nga jeta tani të ndjerin Hamdi Isufi.

Ai akuzohet se në natën kritike, i ndjeri së bashku me Muhamet Kiqmarin, Liridon Sylejmanin dhe Evan Potera, me qëllim të vjedhjes tentojnë ta thyejnë marketin “Rama F”, pronë e të akuzuarit Feriz Hoti dhe pas zhurmës së shkaktuar të njëjtit hetohen nga pronari, i cili del në oborr dhe me një pushkë shtien në drejtim të tyre, ku është qëlluar tani i ndjeri Hamdi Isufi, i cili nga plagët e marra ka vdekur në vendin e ngjarjes.

Me këtë rast, Feriz Hoti, akuzohet se ka kryer veprën penale “vrasja” nga neni 178 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK).

Hoti, gjithashtu akuzohet se deri në ditën kritike, pa autorizim ka poseduar armë të llojit “AK-47”, me çka ka kryer veprën penale “mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve” nga neni 374, paragrafi 1 i KPRK.

LITERAL.MEDIA

Lajmet e fundit

Të rekomanduara

Opinione
Take Me Top
Aktualitete Hulumtime Ekonomi Sport Shëndetësi Teknologji Opinione Rozë Kulturë Dossier 1001