Infektuar: 53939|Shëruar: 48066|Vdekur: 1392

Osmani tha se pesë shtetet e BE’së po i nënshtrohen Serbisë, flasin nga Brukseli

Zëdhënësi i BE’së për Politikë të Jashtme, Peter Stano i tha Gazetës Express se është në dorën e shteteve anëtare të BE’së që të vendosin nëse duan ta njohin Kosovën dhe, sipas tij, pikërisht këtë e ka thënë edhe Emisari i BE’së Miroslav Lajçak. Njohësi i rrethanave politike, Agon Maliqi, thotë se për t’i bindur vendet që nuk e njohin Kosovën duhet të ketë një gatishmëri të madhe të Gjermanisë dhe Francës për të shpenzuar kapital politik rreth kësaj çështje e që Berlini e Parisi nuk e kanë. Maliqi thotë se administrata e Bidenit mund ta ndryshojë dinamikën në këtë drejtim.

Zëdhënësi i BE’së për Politikë të Jashtme Peter Stano tha se njohja ndaj Kosovës është kompetencë kombëtare e secilit shtet të BE’së

“Ne nuk i komentojmë deklaratat. Pozicioni i BE-së ndaj statusit të Kosovës është i njohur mirë për një kohë të gjatë, është çështje vetëm për shtetet anëtare të BE-së veç e veç. Kjo është përcaktuar në Konkluzionet e Këshillit më 18 shkurt 2008. Njohja është qartazi kompetencë kombëtare e secilit shtet anëtar të BE-së. Është në dorën e shteteve anëtare të BE-së që ta përshtatin apo shqyrtojnë pozicionin e tyre për këtë çështje si dhe kohën për ta bërë këtë dhe kjo është ajo që ka thënë përfaqësuesi special i BE-së, Lajçak”, tha Stano në një përgjigje për Gazetën Express.

I dërguari i BE’së për bisedimet Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak ka thënë se nëse Serbia e ndryshon pozicionin karshi Kosovës atëherë njëjtë do të mund të vepronin edhe pesë shtetet anëtare që nuk e njohin Kosovën.

Por, u.d së presidentit Vjosa Osmani nga Brukseli kritikoi  diplomatin sllovak Lajçak duke thënë se është për keqardhje nëse politika e jashtme e pesë vendeve anëtare të BE’së i nënshtrohet Serbisë.

“Përveç që është për keqardhje, është edhe e rrezikshme për gjithë Bashkimin Evropian që pesë shtetet anëtare të tij të përcaktojnë rregullat dhe qasjet e tyre duke u bazuar në dëshirat dhe kërkesat e Serbisë”, ka thënë Osmani duke bërë thirrje që këto shtetet të njohin realitetin, duke respektuar edhe mendimin e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë dhe ta njohin Kosovën, e jo të presin që këtë ta bëjë së pari Serbia.

Njohësi i rrethanave politike, Agon Maliqi tha për Express se sa i përket presionit për njohje të Kosovës nga pesë vendet e BE’së këtë mund ta bëjnë vetëm Gjermania e Franca por që dy kryeqendrat evropiane nuk e kanë këtë gatishmëri.

“Pa dyshim se BE-ja do të duhej të lëvizte nga inercioni, por e  shoh të vështirë këtë gjë për shkak të vendimarrjes me konsensus. Kjo gjë mund të ndodh vetëm nëse vende të mëdha si Gjermania dhe Franca janë të gatshme që për hir të Kosovës të shpenzojnë kapital politik për t’i bindur vendet që nuk na njohin. Gatishmëri për diçka të tillë në Berlin dhe Paris nuk ka, sepse rëndësia e Kosovës në sytë e tyre është e vogël dhe nuk duan t’i acarojnë raportet me Serbinë. Për më tepër, disa vende që nuk na njohin vështirë edhe mund të binden. Prandaj shpresat e Berlinit dhe Parisit janë se kjo çështje mund të zgjidhet përmes marrëveshjes gjithëpërfshirëse dhe kompromiseve nga ana e Kosovës”, tha Maliqi.

Spanja, Sllovakia, Rumania, Qiproja dhe Greqia janë pesë vende anëtare të BE-së që nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës.

Sipas Maliqit, administrata e Presidentit Biden mund ta ndryshojë dinamikën sa i përket raportit të pesë vendeve mosnjohëse me Kosovën.

“Problemi në këtë pikë është se hapësira e Kosovës për kompromise nuk ekziston. Krijimi i asociacionit me kompetenca ekzekutive vetëm sa do ta zëvendësonte bllokimin tonë të jashtëm me një bllokim të brendshëm. Dinamika mund të ndryshojë nëse në raport me vendet mosnjohëse dhe me BE-në e hedh peshën e vet politike administrata e re e SHBA. Shpresat e Kosovës duhet të kërkohen aty”, tha ai.

“Në këtë drejtim, hapësira e vetme që e shoh për zhbllokim është një lloj marrëveshje mes Kosovës dhe Serbisë për normalizim e cla nuk përfshin njohje të drejtpërdrejtë dhe as kompromise me asociacionin, por u jep pretekst vendeve të BE dhe NATO të na njohin dhe të na e hapin një rrugë të përshpejtuar për anëtarësim në NATO. Ose një lloj kompromisi që e mundëson asociacionin por njëkohësisht i lejon Kosovës të heq pjesë të pakos së Ahtisaarit, siç janë vetoja kushtetuese për pakicat dhe ulëset e rezervuara për pakicat në Kuvend. Mendoj se në këto suaza do të duhej orientohej diskutimi i Kosovës me administratën e re amerikane, por edhe me Berlinin dhe Parisin”, shtoi Maliqi.

Ai tha poashtu se prapa Emisarit Lajçak qëndron Berlini, dhe problemi i diplomatit sllovak qëndron tek insistimi për hapjen e Kushtetutës.

“Lajcak është strukturalisht i kufizuar në qëndrimet e tij nga pozicioni i BE-së. Duhet kuptuar gjithashtu se prapa Lajçakut qëndron fort mbi të gjitha Berlini. Problemi i Kosovës me Lajcakun është problem para së gjithash me Gjermaninë. Problemi me qëndrimin e Lajcakut dhe të Berlinit është te insistimi, tanimë i shprehur hapur, se Kosova duhet ta hapë Kushtetutën për të bërë kompromise, duke e neglizhuar këtu destabilizimin që mund t’i vijë Kosovës prej mutacioneve institucionale që e rrisin edhe më shumë ndikimin e një shteti me synime të hapura armiqësore ndaj Kosovës. Kjo është mbi të gjitha e papranueshme në një kohë kur Berlini, madje as Beogradi, nuk është në pozicion ta garantojë pozicionin e Moskës në rast se marrëveshja shkon në OKB” , tha ai.

Publicisti Maliti thotë se duhet t’iu argumentohet Lajçakut dhe Berlinit se Kosova nuk mund ta mbulojë koston e akomodimit të Serbisë.

“Qëndrimi i Kosovës në raport me Berlinin dhe Lajcakun duhet të jetë ky. Së pāri, të argumentohet se koston e akomomidit të Serbisë nuk mund ta mbulojë Kosova, por perëndimi me instrumentet e veta të presionit dhe karameleve”, tha ai.

Sipas Maliqit nëse kërkohet të hapet Kushtetuta e Kosovës atëherë prishet edhe kontrata me perëndimin për Pakon e Ahtisaarit.

Së dyti, nëse kërkohet që të hapet Kushtetuta, atëherë prishet edhe kontrata e jonë me perëndimin per Pakon e Ahtisaarit – pra, bëhet i pavlefshëm kompromisi ynë origjinal. Në këtë rast do të bëhej fjalë për një marrëveshje të re në të cilën mund dhe duhet të hapet për diskutim gjithçka që ishte pjesë e kësaj marrëveshjeje, përfshi gjërat si vetot kushtetuese për pakicat dhe vendet e rezervuara në Kuvend. Pra një ribalansim i Ahtisaarit – çkado që shtohet diku te asociacioni duhet të minusohet diku tjetër. Të drejtat e pakicës serbe duhet të mbrohen dhe ne si shumicë duhet të bëjmë më shumë në këtë drejtim. Por argumenti parimor i Kosovës duhet të jetë se pakica serbe nuk mund të jetë edhe hisedare e plotë e shtetit me fuqi vetoje ndaj shumicës, edhe të jetojë në segregacion të plotë si besnike e Beogradit – duhet të zgjedhet njëra ose tjetra, sidomos në një kontekst ku Beogradi e ka halë në sy ekzistencën e shtetit të Kosovës”, tha Maliqi.

LITERAL.MEDIA

Lexo po ashtu

Lajmet e fundit

Të rekomanduara

Ekonomi
Hulumtime
Opinione
Take Me Top
Aktualitete Hulumtime Ekonomi Sport Shëndetësi Teknologji Opinione Rozë Kulturë Dossier 1001