Infektuar: 4928|Shëruar: 2267|Vdekur: 102

OEAK: Qeveria ta ketë prioritet Projektligjin për Identifikimin Elektronik

Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë i kërkon Qeverisë së Republikës së Kosovës, respektivisht Ministrisë së Zhvillimit Ekonomik që të konsiderojnë me prioritet aprovimin e Projektligjit për Identifikimin Elektronik dhe Shërbimet e Besuara në Transaksionet Elektronike.

Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë, vlerëson se krijimi i një mjedisi të favorshëm i cili do të garantonte besueshmërinë e transaksioneve elektronike shërben si parakusht për zhvillimin e ekonomisë digjitale.

Në një njoftim për media shkruan se Ligji për Identifikimin Elektronik dhe Shërbimet e Besuara në Transaksionet Elektronike përveç se do t’i kontribuonte zhvillimit të ekonomisë digjitale, gjithashtu do të zvogëlonte barrën administrative për transaksione elektronike me palë, rriste efikasitetin e proceseve të biznesit duke reduktuar në mënyrë të ndjeshme kostot, ndërsa bashkë me rritjen e sigurisë në transaksionet elektronike do t’u ofronte bizneseve një bazë më të madhe të konsumatorëve.

“Komiteti i Ekonomisë Digjitale i Odës Ekonomike Amerikane në Kosovë ka argumentuar përgjatë viteve të shkuara nevojën e hartimit të kornizës së duhur ligjore. Qeveria e Kosovës ka aprovuar në korrik të vitit 2019 Projektligjin për Identifikimin Elektronik dhe Shërbimet e Besuara në Transaksionet Elektronike, megjithatë për shkak të zhvillimeve politike, projektligji nuk ka mundur të procedohet në Kuvend dhe të marrë aprovimin e deputetëve”, theksohet në kumtesën e OEAK.

Tuje thuhet se kufizimi i aktiviteteve dhe shmangia e kontakteve fizike pas shpërthimit të pandemisë COVID19, ka nxitur bizneset që të transformojnë operacionet e tyre duke shfrytëzuar përparësitë e teknologjisë digjitale, megjithatë bizneset kosovare janë të kufizuara në këtë aspekt për shkak të mungesës së një legjislacioni që do të lejonte realizimin e transaksioneve elektronike, përfshirë këtu edhe pagesën e tyre, por edhe çfarë është më e rëndësishmja njohjen nga ana e institucioneve tatimore në vend.

“Për rikujtim, edhe Administrata Tatimore e Kosovës edhe Dogana e Kosovës, si edhe shumë organe të tjera qeverisëse të nivelit qendror dhe komunal gjenerojnë dokumente elektronike dhe funksionojnë sipas sistemit pa letër”, thotë OEAK.

LITERAL.MEDIA

Lajmet e fundit

Të rekomanduara

Teknologji
Opinione
Take Me Top
Aktualitete Hulumtime Ekonomi Sport Shëndetësi Teknologji Opinione Rozë Kulturë Dossier 1001