Infektuar: 39057|Shëruar: 24427|Vdekur: 1005

“Mbyllja totale është rrezik i madh për humbjen e vendeve të punës”

Mbyllja totale eventuale po konsiderohet e rrezikshme për humbjen e vendeve të punës dhe falimentimin e bizneseve, duke e dërguar në këtë mënyrë vendin drejt kolapsit.

Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës (OEK) Berat Rukiqi ka thënë se nëse vihen në zbatim masat e mbylljes totale rrezikohet stabiliteti financiar i vendit në aspektin buxhetor.

“Mbyllja eventuale është me rrezik shumë të madh sepse deri tani kemi pasur rrezik për vendet e punës, poashtu edhe për mbylljen e bizneseve ndërsa tash futemi në atë fazën edhe të rrezikimit të stabilitetit financiar të vendit si në aspektin buxhetor dhe financiar dhe kjo e bënë të pashmangshëm ndonjë kolaps”, ka thënë Rukiqi.

Ndërsa, kryetari i Odës Ekonomie Amerikane të Kosovës (OEK) Arian Zeka, theksoi se karantinimi i Prishtinës do të kthente vendin në një situatë të rënies së aktivitetit ekonomik, duke shtuar se rrezikon një pjesë të madhe të kompanive drejt falimentimit.

Mbyllja eventuale do të na kthente në një situatë të rënies së aktivitetit ekonomik ose zvogëlim i aktivitetit të përgjithshëm që rrezikon një pjesë të madhe të kompanive drejt falimentimit përfundimtar dhe natyrisht zvogëlimi i aktivitetit ekonomik do të qojë në rënien e të hyrave të përgjithshme edhe buxhetore të vendit duke e zvogëluar aftësinë e mëtejme të shtetit që të merret me pandeminë edhe në aspektin e kujdesit shëndetësor por edhe në aspektin e përkrahjes së bizneseve”, ka deklaruar Zeka.

Zeka tha diaspora mund të ketë një rol të rëndësishëm në fazën e rimëkëmbjes ekonomike. Sipas tij, nëse aplikohen masat kufizues, kolapsin mund ta shohim në ditët në vijim.

“Diaspora ka vazhduar që në aspektin e dërgesave së remitencave të kryejë funksionin e saj dhe remitencat kanë vazhduar të jenë në nivel dhe kanë shënuar ngritje. Ata kanë përdorur institucione ose mekanizma formal të dërgimit të parave nga shtetet ku jetojnë te familjarët e tyre në Kosovë”, ka thënë ai për Ekonomiaonline.

“Diaspora mund të ketë një rol në fazën e rimëkëmbjes ekonomike. Nëse aplikojmë masa të reja kufizuese qoftë për dy javë një pjesë e madhe e ndërmarrjeve të cilat gjatë këtyre muajve të fundit kanë bërë më të mirën që të ruajnë vendet e punës”.

“Ata do të vijnë në atë pozitë kur do të vendosin që të mbyllin aktivitetet e tyre dhe vendet e punës dhe kolapsin mund ta shohim në ditët në vijim nëse aplikohen masat kufizuese”, tha ai.

Kurse sipas Rukiqit diaspora ka pasur rol të rëndësishëm në kuptim të përkrahjes financiare, duke qenë një bartës i rëndësishëm i zhvillimit ekonomik të vendit.

“Diaspora ka pasur rol të rëndësishëm në çdo proces të vendit jo vetëm në kuptim të përkrahjes morale por edhe shumë e rëndësishme në kuptim të përkrahjes financiare por edhe drejtpërdrejtë duke e ndihmuar mirëqenien e familjeve të veta këtu duke qenë një bartës i rëndësishëm i zhvillimit ekonomik të vendit. Mbi 1 miliard euro deri më tani është diferenca e qarkullimit nëse krahasohet me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar. Nëse ka veprime të caktuara, mosmbyllje e re mund ta shmangim këtë”, deklaroi ai.

Për dhjetë muaj sipas të dhënave të Bankës Qendrore të Kosovës (BQK), dërgesat e mërgimtarëve ishin shumë më shumë se gjysmë miliardë euro.

Në krahasim me periudhën e njëjtë të viti 2019, u dërguan 91 milionë euro më tepër apo rreth 13 për qind më shumë. Remitancat për periudhën janar-tetor të vitit 2019 ishin në vlerën e 705.6 milionë euro.

LITERAL.MEDIA

Lajmet e fundit

Të rekomanduara

Ekonomi
Opinione
Take Me Top
Aktualitete Hulumtime Ekonomi Sport Shëndetësi Teknologji Opinione Rozë Kulturë Dossier 1001