Infektuar: 107557|Shëruar: 105652|Vdekur: 2245

Liturgjia në kishën e ndërtuar në kampusin universitar të Prishtinës, provokim para dialogut Kosovë-Serbi

Provokim para rifillimit të dialogut mes Kosovës e Serbisë po konsiderohet liturgjia e organizuar nga Kisha Ortodokse Serbe, në objektin e papërfunduar të kishës, që gjendet në oborrin e kampusit të Universitetit të Prishtinës.

Që nga vitit 1998 në kishën e ndërtuar në Kampusin e Universitetit të Prishtinës, deri mëngjesin e së enjtes, nuk ishte organizuar asnjë rit fetar. Aty sot është mbajtur liturgji, por që nxiti reagime të shumta.

Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave e të Lirive të Njeriut, politikanë, shoqata të dala nga lufta e organizata studentore reaguan ndaj këtij veprimi, i cili po konsiderohet si provokim para rifillimit të dialogut mes Republikës së Kosovës dhe Serbisë.

Njohësi i çështjeve të sigurisë, Avni Islami ka thënë për Telegrafin se “Që nga koha kur ka filluar ndërtimi i kishës në Kampusin e Universitetit të Prishtinës, ka qenë diçka e jashtëligjshme dhe diçka që konsiderohet që nga atëherë edhe sot si provokative, për shkak se është bërë pa pëlqimin e Universitetit dhe nuk është paraparë që kisha të vendoset në atë pjesë”.

Islami theksoi se ka pasur shumë tentime që kjo kishë të rrënohet, ndërkaq u shpreh se provokimet nga Serbia në prag të rifillimit të dialogut nuk po ndalen.

“Duke pasur parasysh që bisedimet Kosovë-Serbi janë në prag të rifillimit, me provokimet nuk kanë të ndalur në drejtim të Kosovës. Mendoj se mbajtja e meshës, është lloj provokimi jo për institucionet e Kosovës, por lloj provokimi nga ana e Serbisë, ku çdo herë edhe gjatë luftës, kishën e ka përdorur si mjet për qëllimet e tyre luftënxitëse”, u shpreh Islami.

Ai tha se aktiviteti i sotëm nuk paraqet rrezik për sigurinë e brendshme, por në aspektin politik është i dëmshëm.

“Por, në aspektin politik e strategjik është i dëmshëm, dhe unë mendoj se nuk është dashur që të lejohet mbajtja e kësaj liturgjie, pikërisht në këtë kohë kur pritet të rifillojë dialogu me 15 qershor. Kishat dhe objektet fetare duhet t’i shërbejnë shpirtit të popullit, të bëjnë lutje që të bashkëjetojnë, ashtu siç kanë bashkëjetuar me shekuj popuj të ndryshëm”, tha ai.

Islami u shpreh se Kisha Ortodokse Serbe, në përgjithësi është duke u keqpërdorur, siç tha ai “nga vazhdimësia e regjimit të Beogradit.

“Vuçiq, as më pak e as më shumë është një njeri i cili ka qenë në Qeverinë e Serbisë, vetëm se tash është duke u veshur me petkun e demokracisë, Mirëpo, por politika e tij nuk po ndryshon, por vetëm forma e politikave të mëparshme të Serbisë”, tha Islami për Telegrafin.

Të zëdhëm shumë shpesh në lidhje me çështjen e këtij objekti kanë qenë edhe Organizata Demokracia Studentore.

Në një deklaratë për Telegrafin, drejtuesi i kësaj Organizate, Mexhid Ramusa u shpreh se “Mbajtja e liturgjisë sot në objektin e vendosur me dhunë në kampusin universitar nga Kasapi i Ballkanit Sllobodan Milloshoviq e funksionalizon këtë objekt si të shenjet dhe fetar”.

“Ne si student jemi të shqetësuar se si munden të hynë klerikët serb në kampusin universitar dhe të na provokojnë në ketë mënyre dhe institucionet e Kosovës të heshtin. Të gjithë e dimë që ky objekt simbolizon spastrimin etnik ndaj shqiptareve pasi që është ndërtuar me masa të dhunshme nga forcat pushtuese serbe”, theksoi Ramusa.

Ai u shpreh se kanë protestuar disa herë në lidhje me këtë dhe kanë kërkuar që ky objekt të shërbej si muse i krimeve të luftës.

“Policia e Kosovës çdo herë na ka bllokuar, ndërsa klerikët serb nuk po i ndal, ajo se çka është më shqetësuese për ne, sepse ky objekt është ne kontest gjyqësor dhe shteti i Kosovës ja ka lejuar që gjyqtari kryesor të jetë serb”, u shpreh ai.

Ndërkaq, në lidhje me këtë kanë reaguar edhe nga Qeveria e Kosovës.

Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku, ka reaguar pas liturgjisë së sotme të mbajtur nga serbët në kishën e cila gjendet në oborrin e kampusit universitar të Prishtinës.

Çeku, në një shkrim në Facebook, ka thënë se për aktivitetin në fjalë nuk ka qenë e njoftuar policia.

Dhe sipas tij, kjo përbën shkelje të rregullave të sigurisë publike.

“Gjatë ditës së sotme jemi njoftuar për një aktivitet të Kishës Ortodokse Serbe në Kosovë të zhvilluar në strukturën e papërfunduar, e cila ishte ndërtuar në pronën e Universitetit të Prishtinës në kohën e regjimit represiv serb mbi Kosovën. Policia e Kosovës nuk ka qenë e njoftuar paraprakisht për mbajtjen e këtij aktiviteti dhe kjo përbën shkelje të rregullave të sigurisë publike në Kosovë”, u shpreh Çeku.

Për liturgjinë e mbajtur sot ka reaguar edhe kryetar i Qendrës “Gjenocidi në Kosovë – Plagë e hapur”, Bardhyl Mahmuti.

“Sentenca e njohur “krimineli kthehet në vendin e krimit” u dëshmua edhe sot”, u shpreh Mahmuti.

Ai tha se “Botërisht është e njohur se në funksion të shkatërrimit të identitetit kulturor dhe arsimor shqiptar në Kosovë, politika gjenocidare e Sllobodan Millosheviqit u harmonizua me fondamentalizmin fetar ortodoks për ndërtimin e një kishe ortodokse serbe në hapësirën e okupuar të Universitetit të Prishtinës. Shpërthimi i luftës çlirimtare pamundësoi realizimin e një projekti të tillë dhe nga ideja e këtij projekti mbeti vetëm skeleti i kishës politike të Sllobodan Millosheviqit”.

Sipas tij, “Përfaqësuesi i fondamentalizmit fetar ortodoks serbe, peshkopi Teodosije, erdhi për të mbajtur një liturgji brenda skeletit të projektit të kishës politike të Sllobodan Millosheviqit dhe të Kishës Ortodokse serbe. Ky skelet nuk është kishë që ka të bëjë me besimtarët ortodoks, por është dëshmi e projektit gjenocidar të Serbisë ndaj shqiptarëve. Prandaj nuk është vend liturgjie, por dëshmi domethënës ku duhet të bëhen ekspozita për gjenocidin ndaj shqiptarëve gjatë luftës në Kosovë”.

Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave e të Lirive të Njeriut, ka reaguar pas liturgjisë së sotme të mbajtur nga serbët në kishën e cila gjendet në oborrin e kampusit e Universitetit të Prishtinës.

Nga KMDLNJ, kanë theksuar se “Këso aktivitete nuk duhet të lejohen në të ardhmen aq më parë që në Prishtinë dhe rrethinë ka hapësira të mjaftueshme dhe funksionale për ushtrim të aktiviteteve fetare”.

“KMDLNj tërheq vërejtjen se këto veprime provokuese të KOS – mund dhe do të provokojnë reagimin e studentëve të UP-së, me pasoja të paparashikueshme. Institucionet e Kosovës duhet të veprojnë që të parandalojnë eskalimin e situatës ndryshe do të marrin përgjegjësi për pasojat e mundshme”, thuhet në reagim.

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Enver Hoxhaj ka reaguar ndaj liturgjisë së mbajtur sot në qendër të Prishtinës duke e konsideruar të papranueshme dhe shoviniste.

Hoxhaj ka thënë se liturgjia e Kishës Ortodokse Serbe në qendër të Prishtinës u bë sot me lejen dhe dijeninë e plotë të qeverisë së Kosovës, transmeton Telegrafi.

Tutje, kreu i PDK-së thotë se “gërmadha e ngritur dhe e papërfunduar në kohën e okupimit, duhej të trajtohej si e tillë – një projekt tjetërsimi shovenist ndaj shqiptarëve që u ndal dhe nuk përfundoi asnjëherë”.

LITERAL.MEDIA

Lajmet e fundit

Të rekomanduara

Teknologji
Hulumtime
Opinione
Take Me Top
Aktualitete Hulumtime Ekonomi Sport Shëndetësi Teknologji Opinione Rozë Kulturë Dossier 1001