Infektuar: 108371|Shëruar: 106001|Vdekur: 2257

​Kosova as sivjet nuk siguron bukën e motmotit, fermerët mbeten pa subvencione

Në të gjithë vendin ka nisur fushata e korrje-shirjeve. Pavarësisht se këtë vit ka më shumë të mbjella me grurë, gjithsej 68 mijë hektarë ose 6 mijë hektarë më shumë, rendimenti mesatar për hektarë është 4 mijë kilogramë grurë, mbi 500 kilogramë më pak se vitin e kaluar. Ministria e Bujqësisë thotë se 1400 autokombajna janë të përfshirë në këtë proces që pritet të përfundojë ditëve të para të gushtit.

Ani pse gruri është kultura kryesore që për një kohë të gjatë zë sipërfaqen më të madhe të tokës bujqësore, asnjëherë deri më tani nuk është arritur që të plotësojë nevojat e popullatës me këtë kulturë, marrë parasysh rëndësinë që ka për prodhimin e miellit.

Ndonëse në fushatën e sivjetme të korrje-shirjeve deri tash janë korrur rreth 40 përqind në nivel vendi, zyrtarë të Qeverisë së Kosovës theksojnë se gjatë këtij viti pritet që të ketë prodhim më të ulët të grurit, për shkak të kushteve klimatike që kanë mbizotëruar në pranverë dhe në qershor me temperaturat e larta.

Fermeri nga Barileva, Besim Rexha i cili ka të mbjellë mbi 50 hektarë grurë, thotë se sivjet cilësia e grurit është më e mirë, përkundër që rendimentet janë të më të ulëta se vitin e kaluar.

“Rendimentet sivjet janë më të ulëta se në vitin e kaluar për shkak të kushteve klimatike. Kështu që rendimenti është më i ulët se vitin e kaluar. I posedoj 53 hektarë, gjysmën e kemi korrë, gjysmën jemi duke e korrur”, thekson Rexha.

Edhe fermeri Faik Verbovci sivjet nuk është i kënaqur me sasinë e prodhimit të grurit.

Ai thotë se 4 mijë kilogramë ishte sasia e prodhuar sivjet për hektarë.

“Kemi korrur, por sivjet nuk ka rendimente të mira sikur viteve të kaluara. Pra, shumë dobët, edhe për shkak të lagështisë dhe të ftohtit në pranverë. Po ashtu, këto ditë temperaturat e mëdha kanë ndikuar që kokrrat e grurit të mbeten më të imëta”, tha ai.

Drejtori i Departamentit të Politikave Bujqësore në Ministrinë e Bujqësisë, Isuf Cikaqi deklaroi për KosovaPress se këtë vit ka më shumë sipërfaqe të mbjella me grurë, gjithsej 68 mijë hektarë, derisa vitin e kaluar kanë qenë 62 mijë sosh.

Cikaqi, thotë po ashtu se pritet sasi më e vogël e prodhimit, por megjithatë rendimenti mesatar i grurit për këtë vit pritet të jetë rreth 4 mijë kilogramë për hektarë, ndërsa vitin e kaluar rendimenti mesatar ka qenë 4 mijë e 507.

Ai thotë se 1400 autokombajna në nivel vendi janë në këtë proces të korrjes, ndërsa pritet që në ditët e para të gushtit të përfundojë fushata e korrje-shirjeve.

“Sipas informacioneve që i kemi rendimentet aktualisht për këto sipërfaqe që janë korrur deri më tash dhe që vazhdon procesi i korrje-shirjeve është 4000 deri 4200 (kilogramë). Megjithatë ka parcela dhe sipërfaqe që rendimentet kanë arritur deri në 7000 kilogramë. Mirëpo. finalen do ta dimë vetëm kur bëhet raporti përfundimtar i realizimit të korrjes. Në Rrafshin e Dukagjinit mund të themi që janë korrur mbi 70 përqind e sipërfaqeve, ndërsa në Prizren dhe Suharekë mbi 90 përqind e më shumë, ndërsa në Rrafshin e Kosovës vetëm se ka filluar. Nëse e themi në total, diku rreth 35-40 përqind në nivel vendi është korrur”, thekson ai.

Cikaqi po ashtu thotë se nga prodhimtaria e grurit, Kosova sivjet siguron 70 përqind të nevojave të saja.

“Ne shpresojmë që nuk do të jetë më pak se 4 mijë kilogramë dhe nëse janë 67 mijë e 755 hektarë me 4 mijë kilogramë në nivel vendi i bie diku 270 mijë tonë grurë e prodhuar, e që nevojat janë për 400 mijë tonë grurë në nivel vendi, atëherë i bie që do të jenë 67-70 përqind e plotësimit të nevojave, gjithnjë nëse do të jetë ky rendiment”, tha Cikaqi.

Fermerët ankohen se nuk kanë leverdi të kultivojnë grurin, për shkak siç thonë të çmimit të ulët të këtij produkti dhe mos shpalljes së programit për subvencione për vitin 2021.

Fermeri Besim Rexha u shpreh se përkrahja financiare e shtetit sivjet po iu mungon.

“Me pasur rregull dhe me shkuar mirë, është e leverdishme, por jo edhe aq. Pse? Për arsye se sivjet kanë ndikuar edhe subvencionet, koha… Përkrahja e shtetit deri tash nuk është hiç, sivjet. Nuk kemi përkrahje, nuk kemi pasur as për ato për pandemi, dyfishimi i subvencioneve, ende nuk i kemi marrë. Kështu që nuk kemi përkrahje për këtë vit hiç”, theksoi Rexha.

Edhe fermeri tjetër Faik Verbovci thotë se nuk kanë marrë ende subvencionet për këstin e dytë të vitit 2020.

“Sivjet nuk kemi asgjë hiç, kurrfarë mbështetje… Subvencionet ende nuk i kemi marrë”, tha Verbovci.

Drejtori i Departamentit të Politikave Bujqësore në Ministrinë e Bujqësisë, Isuf Cikaqi premtoi se më së largu deri javën tjetër do të ekzekutohen të gjitha subvencionet e dyta për fermerët.

Ndërsa, për hartimin e programit për subvencione të vitit 2021, tha se janë në bisedime me Qeverinë se si do të veprohet tutje.

“Kjo çështje është brengosëse dhe shqetësuese dhe prioritare për institucionin tonë dhe për krejt qeverinë. Një informatë pozitive është se pjesa e mbetur e subvencioneve të papaguara të vitit të kaluar për shkak të kushteve dhe rrethanave të krijuara që tashmë dihen për opinion janë në fazën finale dhe besojmë që brenda pak ditëve mos të themi javëve, do t’i përfundojmë të gjitha. Ndërsa, për pjesën tjetër të hartimit ose shpalljes së programit për subvencione jemi në bisedime edhe me qeverinë dhe të shohim si do të veprohet dhe pastaj do të ketë njoftim publik. Por, për pjesën e mbetur nga viti 2020 ato do të ekzekutohen pa merak ditëve në vijim”, theksoi Cikaqi.

Ndryshe, Ministria e Bujqësisë ka disa vjet që subvencionon me nga 150 euro për një hektar fermerët e grurit, derisa vendi sipas njohësve të kësaj fushe dhe ASK-së nuk siguron prodhim të grurit më shumë se 35 përqind të nevojave të popullatës. Kurse, pjesa tjetër mbulohet nga importi, kryesisht nga Serbia.

Në shkurt dhe qershor të këtij viti, janë marrë dy aksione nga njësitet policore në Ministrinë e Bujqësisë, ku janë arrestuar rreth 30 zyrtarë të kësaj ministrie si të dyshuar për keqpërdorim të pozitës zyrtare në ndarjen e subvencioneve dhe granteve.

LITERAL.MEDIA

Lajmet e fundit

Të rekomanduara

Ekonomi
Hulumtime
Opinione
Take Me Top
Aktualitete Hulumtime Ekonomi Sport Shëndetësi Teknologji Opinione Rozë Kulturë Dossier 1001