Infektuar: 9492|Shëruar: 5336|Vdekur: 284

Komuna e Prizrenit akuzohet për jotransparencë me subvencione në kulturë, rini e sport

Monitoruesit nga shoqëria civile kanë vlerësuar se Drejtoria e Kulturës, Rinisë dhe Sporteve në Komunën e Prizrenit ndarjen e subvencioneve e bën në mënyrë jotransparente. Sipas organizatës joqeveritare “EC Ma Ndryshe” kërkesat që listat përfundimtare të përfituesve të publikohen me më shumë informata nuk janë përfillur nga zyrtarët komunalë. Madje kjo organizatë ka shprehur qëndrimin se mospërfillja e këtyre kërkesave krijon hapësirë për dyshime për keqmenaxhimin dhe keqpërdorimin e parasë publike.

“EC Ma Ndryshe”, sikurse edhe Rrjeti i Organizatave të Kulturës, kanë kërkuar nga DKRS-ja dhe DTZHE-ja që gjatë publikimit të listave përfundimtare të përfituesve, krahas titullit të projektit dhe emrit të përfituesit, të përfshijë edhe informatat si në vijim: Kriteret e vlerësimit, në bazë të cilave janë përzgjedhur përfituesit; Listën e anëtarëve të komisioneve; Përshkrimin e shkurtër të projektit dhe rezultatet e pritura; Shuma financiare e aplikuar me projekt nga organizata/shoqata; Shuma financiare e përkrahur nga DKRS”, ka shkruar “EC...”. Me këtë, kjo organizatë konsideron se me publikimin e këtyre informatave dhe dokumenteve, drejtoritë komunale do të tregonin transparencë dhe llogaridhënie, duke dhënë shembull për praktika të mira të qeverisjes. Në reagimin e “EC-it” theksohet se kërkesa e njëjtë është adresuar edhe në MKRS, me qëllim që kjo ministri të bëhet model i transparencës dhe llogaridhënies, si dhe praktikave të mira të qeverisjes edhe për nivelin lokal, përkatësisht për drejtoritë e Kulturës, Rinisë dhe Sporteve.

Mirëpo “EC...” ka shtuar se DKRS-ja në Komunën e Prizrenit nuk e ka përfillur këtë kërkesë dhe ka vazhduar që listën përfundimtare të përfituesve të subvencioneve ta publikojë vetëm me titujt e projekteve dhe përfituesit. Gjithashtu ka theksuar se praktika e njëjtë e kufizimit të transparencës rreth mënyrës së përzgjedhjes dhe rezultateve finale të subvencioneve nga DKRS-ja ka ndodhur edhe në vitin 2019, duke i kthyer prapa arritjet e përbashkëta me RrOK-un në këtë proces gjatë vitit 2018.

“Prandaj ‘EC’ edhe një herë i bën thirrje Komunës së Prizrenit që t’i rishqyrtojë këto veprime dhe të angazhohet për zbatimin e praktikave më të mira të qeverisjes, pasi që mospërfillja e këtyre kërkesave krijon hapësirë për dyshime për keqmenaxhimin dhe keqpërdorimin e parasë publike. Përveç kësaj, transparenca radikale ka qenë njëra prej zotimeve të kësaj qeverie komunale, që tani duhet të gjejë zbatim edhe në praktikë”, shkruan në reagimin e kësaj organizate.

Komuna e Prizrenit të hënën ka publikuar listën përfundimtare të përfituesve të subvencioneve nga thirrja e DKRS-së, në kategorinë e kulturës dhe rinisë, si dhe në kategorinë e sportit. Në vendimet përfundimtare të DKRS-së për subvencionimin e OJQ-ve dhe individëve figurojnë titujt e projekteve dhe përfituesit.

LITERAL.MEDIA

Lajmet e fundit

Të rekomanduara

Teknologji
Opinione
Take Me Top
Aktualitete Hulumtime Ekonomi Sport Shëndetësi Teknologji Opinione Rozë Kulturë Dossier 1001