Infektuar: 98435|Shëruar: 84505|Vdekur: 1223

Jep dorëheqje drejtori për Arsim në Fushë-Kosovë pas mosmarrëveshjeve me kryetarin e Komunës

Drejtori i deritashëm për Arsim në Komunën e Fushë-Kosovës ka dhënë dorëheqje nga kjo pozitë. Ai në një prononcim për KOHË-n ka thënë se këtë vendim e ka marrë për shkak të mosmarrëveshjeve me kryetarin e Komunës, Burim Berisha, rreth menaxhimit të këtij sektori.

“Ka një kohë të gjatë që kemi mosmarrvëshje me kryetarin e Komunës, duke nisur nga mospërfillja rreth buxhetit për arsim, anashkalimi gjatë kohës së pandemisë, stërngarkesa e paraleleve në shkollat e qytetit për shkak të migrimeve të banorëve nga e gjithë Kosova dhe jashtë saj, pamundësia e pajisjes së shkollave me pajisje digjitale, mungesa e hapësirave për të ndërtuar kopshte dhe shkolla të reja”, ka thënë Islam Shabani në një përgjigje me shkrim.

Sipas tij, si Komunë me një rritje dinamike dhe të hyra të mëdha kanë mundur të arrijnë më shumë me një menaxhim më të mirë, siç ka thënë ai, duke përcjell infrastrukturën e nevojshme krahas ndërtimeve të shumta dhe jo të lejojnë që në paralele të ketë deri në 50 nxënës.

“Kjo situatë nuk garanton një cilësi të mirë në arsim tek nxënësit dhe as një menxhim të mirë nga arsimtarët. Problem kyq në Fushë-Kosovë është edhe çështja e normave - vendeve të arsimtarëve. Ne qe dhjetë vite radhazi kemi probleme me mbulimin e normave shkaku se na mungojnë rregullisht shkaku i planifikimit jo të duhur. Prandaj arsimtarët e pranuar me konkurs nuk mund t’i fusim në lista të pagave!”, ka theksuar tutje, ish-drejtori për Arsim në Fushë-Kosovë. “Për këtë çështje përgjegjësinë për këtë vit shkollor e mban kryetari. Nuk dua të elaboroj më shumë për shkak të keqkuptimeve të mundshme, sepse këto do të diskutohen më vonë dhe do të analizohen të gjitha”.

KOHA ka provuar të kontaktoj kryetarin e Komunës së Fushë-Kosovës, Burim Berisha, por i njëjti nuk e ka hapur telefonin.

Në anën tjetër, kryetari i Degës së PDK-së në këtë komunë, Rrahim Tërnava, nëpërmjet një reagimi në rrjete sociale, ka shkruar se si parti disa herë e kanë kërkuar dorëheqjen e drejtorit të Arsimit, Islam Shabani.

“Gjendja në të cilën e ka sjell arsimin ky drejtor është e tmerrshme. Puna ka shkuar deri aty sa muaj më parë, për gati dy javë ka pasur ndërpreje të procesit mësimor në shkollën ‘Mihal Grameno’. Dorëheqja e tij në këtë kohë është e vonshme dhe e qëllimshme politikisht, është dorëheqje për interesa elektorale të LDK-së dhe të Burim Berishës”, ka shkruar Rrahim Tërnava. “Por, qytetarët e dinë dhe i njohin këto lojëra sikurse e dinë se për shkatërrimin e arsimit në Fushë Kosovë, përveç drejtorit të dorëhequr e të paaftë, Islam Shabani, është fajtor edhe vetë kryetari i komunës, Burim Berisha. Ai është dashur moti t’i shkarkojë drejtorët e tij të korruptuar, të cilët e kanë degraduar Fushë-Kosovën”.

LITERAL.MEDIA

Lajmet e fundit

Të rekomanduara

Hulumtime
Opinione
Take Me Top
Aktualitete Hulumtime Ekonomi Sport Shëndetësi Teknologji Opinione Rozë Kulturë Dossier 1001