Infektuar: 17560|Shëruar: 14923|Vdekur: 662

Haradinaj: Sulmi ndaj gazetarit Shkumbin Kajtazi është lajm i keq për vendin

Kreu i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj ka reaguar pas sulmit ndaj gazetarit Shkumbin Kajtazi që ndodhi mbrëmë në Mitrovicë.

Përmes një postimi në Facebook, Haradinaj ka thënë se sulmi i dytë ndaj gazetarit Shkumbin Kajtazi, pas kërcënimeve të vazhdueshme ndaj tij, është lajm i keq për vendin.

“Organet e sigurisë duhet të merren më seriozisht me mbrojtjen e gazetarëve, veçanërisht atyre hulumtues. Ata që po tentojnë që Kosovën ta paraqesin si një vend të pasigurt, ku cenohet fjala e lirë, përmes sulmeve qyqare, duhet të zbulohen dhe të ndërpritet veprimtaria e tyre shumë e dëmshme për vendin”, ka shkruar Haradinaj.

Gazetari Shkumbin Kajtazi është sulmuar mbrëmë nga persona të panjohur. Vetura e tij është goditur me rreth gjashtë plumba.

Lajmin për sulmin e ka bërë të ditur vetë Kajtazi përmes një statusi në Facebook.

“Mbrëmë u përballa me një sulm të rrezikshëm: vetura ime u qëllua me 5 ose 6 plumba. Ngjarja ka ndodhur rreth mesnatës, kur vetura ishte e parkuar në qendër të Mitrovicës. Unë isha afër dhe kam dëgjuar krisma arme, por si njeri naiv që beson se Kosova është vend normal, nuk e kam lejuar mendjen të më thotë se mund të jetë sulm i tillë. Isha gabim”, ka shkruar Kajtazi.

“Kur u afrova tek vendi ku e kisha parkuar, pashë se vetura ishte dëmtuar në masë të madhe. Në fillim pata bindjen se ishte goditur me diçka të fortë, mirëpo më pas u vërejten gjithandej vrima dhe predha të plumbave: në ulësen e shoferit, në tavan e në pjesën e prapme. Edhe në Polici deklarova se rasti lidhet me punën, pasi problem personal me dikë nuk kam pasur që nga shkolla e mesme”, ka shkruar ai.

Kajtazi ka bërë të ditur se e ka lajmëruar rastin në Polici.

“Rasti është në Polici dhe shpejt do ta marrin në dorë hetuesit e krimeve të rënda. Zbardhja e tij duhet të bëhet shpejt, ose rrezikon të mbetet zhag si i mëparshmi. Nuk ndihem i frikësuar, që është qëllim i personave që më vihen pas. Jam thjesht i dëshpëruar me shtetin tim dhe njerëzit e tij”, ka shkruar Kajtazi.

LITERAL.MEDIA

Lajmet e fundit

Të rekomanduara

Ekonomi
Teknologji
Opinione
Take Me Top
Aktualitete Hulumtime Ekonomi Sport Shëndetësi Teknologji Opinione Rozë Kulturë Dossier 1001