Infektuar: 17414|Shëruar: 14868|Vdekur: 660

Gjyqtari Sali Berisha thotë se aktakuza për korrupsion ndaj tij është e montuar

Gjyqtari i Departamentit të Krimeve të Rënda i Gjykatës Themelore në Pejë, Sali Berisha, i ka mohuar akuzat e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës (PSRK), që atë e ngarkojnë për marrje të ryshfetit dhe armëmbajtje pa leje, duke e konsideruar aktakuzën si të montuar.

Këtë pretendim të tij, ai e ka dhënë në seancën fillestare të mbajtur këtë të premte në Departamentin Special të Gjykatës Themelore në Prishtinë, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Pas leximit të aktakuzës nga ana e prokurorit Dren Paca, Berisha deklaroi se ai ndihet i pafajshëm për të dy veprat penale, ngase sipas tij, aktakuza e PSRK-së, përpos që është e paqartë dhe kontradiktore, është ngritur me qëllim të linçimit të tij personal dhe profesional.

“Megjithëse aktakuza është e pakuptueshme dhe qëllime tendencioze që bazohet në një montim me qëllim të linçimit dhe komplotit ndaj dinjitetit tim personal dhe profesional, unë deklaroj se nuk e pranoj fajësinë, lidhur me dy pikat e aktakuzës, pasi as revolja s’ka qenë e imja”, deklaroi Berisha.

Ai po ashtu shtoi se aktakuza e prokurorisë, ka rënë në kundërshtim edhe me komunikatat e tyre për media.

“E kuptoj vetëm si aktakuzë e monutme sepse ka kundërthënie me vetveten edhe gjitha pjesët e saj sepse nuk përmban inkriminim në dispozitiv e as në kualifikim dhe është në kundërshtim edhe me kumtesat e shpallura në mjete të informimit, të cilat janë të pasakta dhe pa fakte të vërtetuara pasi askund dëshmitari, kinse i dëmtum nuk e ka theksu se gjyqtari Sali Berisha, në mënyrë të drejtpërdrejtë ka kërku 6000 euro, ashtu siç është shpallë në këto kumtesa”, shtoi ai.

Berisha u shpreh se edhe paratë e konfiskuara në shtëpinë e tij, e të cilat janë kërkuar të konfiskohen, kanë qenë të motrës së bashkëshortes së tij, e cila jeton jashtë Kosovës, të cilat kanë qenë të destinuara për punëtorë të shtëpisë së saj, por që i janë llogaritur nga ana e prokurorisë se janë të tij.

“Edhe në dispozitiv të aktakuzës, nuk përmendet kriminalizimi i parave dhe kërkohet konfiskimi e ato janë pare të gurbetqarit që i ka fitu me ndjerës e më m’veshën mu si para të kriminalizuara”, u shpreh ai.

Kryetari i trupit gjykues e njoftoi të akuzuarin dhe mbrojtësin e tij, avokatin Veton Berisha, se kërkesën për hedhjen e aktakuzës dhe kundërshtimet për provat e saj, mund ta bëjnë deri në shqyrtimin e dytë, i cili u caktua më 19 tetor 2020, në ora 13:00.

Ndryshe, avokati Veton Berisha, para leximit të aktakuzës, tha se prokuroria nuk i ka dorëzuar mbrojtjes përgjimet e bëra për këtë rast, ndërsa prokurori Paca, tha se edhe pse nga ana e tyre janë dorëzuar të gjitha shkresat, nëse është e nevojshme, mbrojtja mund që të shkojë në prokurori dhe të pajiset me të gjitha shkresat e kësaj lënde.

Po ashtu, para se prokurori Paca ta lexonte aktakuzën, ai bëri ndryshimin e saj, duke propozuar që ndaj Berishës, gjykata, pas përfundimit të gjykimit, të shqiptoi edhe dënimin plotësues “ndalimi i ushtrimit të funksioneve në administratën publike ose në shërbimin publik”.

Sipas aktakuzës së ngritur më 5 shkurt 2020, nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, i pandehuri Sali Berisha, gjyqtar në Departamentin për Krime të rënda në Gjykatën Themelore të Pejës, akuzohet se në mënyrë të drejtpërdrejtë kishte kërkuar dhe kishte pranuar përfitim në mënyrë që të veprojë në kundërshtim me detyrën e tij zyrtare.

Siç thuhet në aktakuzë, më 19 shtator 2019, i pandehuri Berisha ishte takuar me dëshmitarin F.Z, prej të cilit kishte pranuar shumën prej 2 mijë euro, e të cilët ishin dakorduar që në një rast ku për dy vepra penale “kontrabandimi me migrantë” ishte i akuzuar vëllai i dëshmitarit F.Z, i pandehuri Berisha, si kryetar i trupit gjykues, të shqiptojë dënim të favorshëm, ku për këto vepra kishte shpallur dënim prej tre viteve, me kusht që brenda dy viteve të mos kryej vepër tjetër penale.

Për këtë, ai akuzohet për kryerjen e veprës penale “marrja e ryshfetit” sipas nenit 421, paragrafi 2 lidhur me paragrafin 1 të Kodit Penal të Kosovës.

Përpos kësaj, gjykatësi Berisha, është duke u akuzuar se deri më 19 shtator 2019, ka mbajtur pa leje një revole të tipit “Zaza Mini”, të kalibrit 8 mm, së bashku edhe me 10 fishek, e cila i ishte sekuestruar me rastin e bastisjes në banesën e tij në Pejë.

Ndryshe, Këshilli Gjyqësor i Kosovës (KGJK), në një mbledhje të jashtëzakonshme, më 20 shtator 2019, e kishte pezulluar gjykatësin Sali Berisha, pas arrestimit të tij, nën dyshimin për përfshirje në vepra penale të korrupsionit.

LITERAL.MEDIA

Lajmet e fundit

Të rekomanduara

Ekonomi
Teknologji
Opinione
Take Me Top
Aktualitete Hulumtime Ekonomi Sport Shëndetësi Teknologji Opinione Rozë Kulturë Dossier 1001