Infektuar: 98435|Shëruar: 84505|Vdekur: 1223

Filmohet afera e korrupsionit: 5 mijë euro për ta mbyllur lëndën në Prokurori

Dardan Hoxha nga Prizreni ka denoncuar në emisionin “Kallxo Pernime” njërën nga aferat e mëdha të keqpërdorimeve në rajonin e Prizrenit.

Dardani, një i dënuar për legalizim të përmbajtjes së pavërtetë, ka rrëfyer në emision se ka paguar mbi 5 mijë euro mito, para këto të cilat, sipas tij, i janë kërkuar për të lehtësuar lëndën në Prokurorinë e Prizrenit.

Dosja e tij, sipas hulumtimit të KALLXO.com, ishte hetuar nga prokurorja Ervehe Gashi, ndërsa Dardani ka filmuar një moment kur i dorëzon rreth 5 mijë euro në dorë të Rizam Hoxhës, një mik i burrit të prokurores që po e hetonte rastin.

“Rizami m’i ka kërkuar paratë në emër të Bajram Gashit që është burri i prokurores Ervehe Gashi”, ka rrëfyer Hoxha.

Prokurorja Gashi ka thënë se nuk ka të bëjë asgjë me këto trasanksione dhe se nuk ka qenë e njoftuar për këto diskutime.

Filmimi i cili është shfaqur gjatë emisionit shfaq Dardanin duke i numëruar paratë dhe duke i futur ato në një zarf. Tutje Rizam Hoxha, personi që i pranon paratë, kryen një telefonatë në të cilën ai dëgjohet duke caktuar një takim me një person që sipas Dardanit ishte burri i prokurores Ervehe Gashi.

Dardani në atë kohë ishte duke u ndjekur penalisht nga prokurorja Gashi ndërsa pjesë e hetimit ishte edhe babai i tij, Sadik Hoxha.

Takimi kur ishin dorëzuar paratë kishte ndodhur në gusht të vitit 2017, kohë kjo kur babë e bir ishin liruar nga paraburgimi.

Personi që i pranon paratë është Rizam Hoxha, një mik i Bajram Gashit, burrit të prokurores Ervehe Gashi. Miqësia në mes Gashit e Hoxhës është konfirmuar nga vetë Bajram Gashi në një përgjigje me shkrim që e ka dhënë për emisionin.

Pas dorëzimit të parave Dardani ka rrëfyer se babai i tij, Sadik Hoxha, ishte takuar me burrin e prokurores Ervehe Gashi në shtëpinë e vikendit të këtij të fundit.

Takimi kishte ndodhur në kohën kur prokurorja ishte duke e hetuar rastin dhe Sadik Hoxha ishte pjesë e hetimit penal në këtë dosje.

Sadik Hoxha ka rrëfyer se gjatë kohës kur ai ishte duke u hetuar ishte takuar dy herë me burrin e prokurores për të diskutar për lëndën.

LITERAL.MEDIA

Lajmet e fundit

Të rekomanduara

Hulumtime
Opinione
Take Me Top
Aktualitete Hulumtime Ekonomi Sport Shëndetësi Teknologji Opinione Rozë Kulturë Dossier 1001