Infektuar: 39057|Shëruar: 24427|Vdekur: 1005

Eksperimentet e Shpendit me kryeqytetin janë të papranueshme!

Shkruan: Prof. Asoc. Dr. Ferat Shala

Kryetari i Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti, po vazhdon që të eksperimentoj me kryeqytetin, në përpjekje që të mbulojë mungesën e rezultateve dhe projekteve që ndikojnë në përmirësimin e jetës së qytetarëve.

Së fundi ai e bëri publik një propozim sa absurd aq edhe diskriminues, qesharak dhe i pa menduar mirë.

Propozimi që në zonën e qendrës së kryeqytetit të aplikohet taksa prej 10 eurosh për parkim të veturave, në funksion të përmirësimit të cilësisë së ajrit, përveç që është një taksë e papërballueshme për buxhetin e qytetarëve, nuk është një masë që do të sillte rezultate për qëllimin për të cilin po zbatohet.

Nga përvoja ime si ministër dhe zëvendës ministër në Ministrin e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinorë, nga përvoja si ligjërues i lëndës së transportit në Fakultetin e Inxhinierisë Mekanike, si dhe bazuar nga shembujt dhe praktikat që zbatohen në vende të ndryshme që kanë probleme me ndotjen e ajrit, vlerësoi se ka mundësi të aplikimit të shumë masave tjera më efikase dhe më të pranueshme për reduktimin e ndotjes së ajrit nga transporti.

Përmes këtij reagimi i rikujtoi z.Shpend Ahmeti, vetëm disa prej masave dhe veprimeve të tjera që duhet të ndërmerren nga Komuna e Prishtinës për reduktimin e ndotjes së ajrit në kryeqytet para zbatimit të taksave për parkim të automjeteve në zonën e qendrës.

1. Komuna e Prishtinës, duhet të hartojë dhe miratojë Planin e Veprimit për përmirësimin e cilësisë së ajrit sikurse e kërkon Ligji për Mbrojtjen e Ajrit nga Ndotja, ku do të duhej të përfshihen edhe masat për reduktimin e ndotjes nga trafiku;
2. Komuna e Prishtinës, do të duhej që tanimë të kishte një Plan të Mobilitetit të bazuar në hulumtime dhe masa konkrete që do të rrisnin efiçencën e transportit urban dhe do të reduktonin ndotjen e ajrit nga ky sektor;
3. Komuna e Prishtinës, është dashur që të mendojë që edhe me rastin e blerjes së autobusëve për trafikun urban, që ata të ishin më miqësorë me mjedisin dhe jo autobusë dizel dhe me nivel të lartë të shkarkimeve në ajër;
4. Komuna e Prishtinës, do të duhet të caktonte ndalesa dhe zona të qarkullimit të mjeteve motorike në kryeqytet sipas kategorive të automjeteve;
5. Komuna e Prishtinës, do të duhej të zbatonte subvencione për promovimin e transportit, shtimin e linjave dhe rritjen e efikasitetit të tij;
6. Komuna e Prishtinës, do të duhej të angazhohej maksimalisht në ndalimin e veprimtarisë së operatorëve ilegal të taksive që ndikojnë dukshëm në shtimin e ndotjes nga transporti;
7. Komuna e Prishtinës, do të duhej që të zbatonte orare të rregullta të pastrimit të rrugëve me qëllim të reduktimit te ndotjes nga pluhuri i rrugëve;
8. Komuna e Prishtinës në funksion të reduktimit të ndotjes së ajrit nga transporti do të mundë të caktonte orare specifike për furnizime, auto-shkolla dhe veprimtari të tjera që janë të bazuara në shfrytëzimin e transportit;

Këto janë vetëm disa prej veprimeve që mundë të zbatohen nga Komuna e Prishtinës për reduktimin e ndotjes së ajrit nga transporti, në kuadër të shumë masave tjera që kryeqyteti ynë të bëhej shembull dhe model edhe për qytetet tjera.

Por, në vend të një qyteti model dhe në vend të shembujve e praktikave të mira, ne duhet të presim propozime absurde nga kryetari i kryeqytetit.

LITERAL.MEDIA

Lajmet e fundit

Të rekomanduara

Ekonomi
Opinione
Take Me Top
Aktualitete Hulumtime Ekonomi Sport Shëndetësi Teknologji Opinione Rozë Kulturë Dossier 1001