Infektuar: 71344|Shëruar: 61014|Vdekur: 1627

Avokatja e Jakup Krasniqit çuditet se si Prokuroria u bazua aq shumë në postimin për Shkëlzen Gashin

Krerët e UÇK-së që aktualisht po gjykohen në Hagë janë në pritje të një përgjigjeje nga Dhomat e Posaçme të Apelit lidhur me kërkesën e tyre për lirim nga paraburgimi. Aktualisht, palët janë në fazën e dërgimit të parashtresave dhe përgjigjeve ndaj pretendimeve të njëra tjetrës. Një gjë të tillë, e ka bërë edhe mbrojtja e ish-zëdhënësit të UÇK-së, Jakup Krasniqi.

Venkateswari Alagendra, avokatja e Jakup Krasniqit në Gjykatën Speciale ka dërguar në Apel nëntë faqe kundërpërgjigje ndaj zyrës së Prokurorit të Specializuar, me gjithësej 22 pika që lidhen me kërkesën e refuzuar për lirimin e ish-zëdhënësit të UÇK-së.

Alagendra ka kritikuar vendimin e gjykatësit të procedurës paraprake në pikën ku ai u mbështet në pretendimet se Jakup Krasniqi është pjesë e një rrjeti të madh mbështetësish që mund të jenë të aftë për të kryer krime apo për të penguar punën e Gjykatës Speciale. Në këtë pikë, mbrojtja e Krasniqit ka thënë se për këtë pretendim që së pari u nxor nga Prokuroria e Specializuar nuk ka asnjë mbështetje.

Madje, Alagendra thotë se Gjykata dhe Prokuroria gabimisht citojnë se Jakup Krasniqi ka qasje në rrjet përkrahësish, përfshirë policinë dhe ekspertizat intelegjente, ashtu si të akuzuarit tjerë në këtë rast.

Alagendra në këtë pikë citon faktin se Krasniqi është që pesë vite i pensionuar nga politika aktive.

“Në vend që të tregojë prova të afta për të mbështetur vendimin e kundërshtuar, Përgjigja përsëri i drejtohet pohimeve dhe hamendësimeve të pabazuara. Kështu, SPO përsërit pretendimet e tij se Z. Krasniqi “ka qasje në të njëjtin rrjet mbështetës të gjerë si të akuzuarit e tjerë në këtë rast, duke përfshirë ata me siguri, polici dhe ekspertizë të inteligjencës”. Asnjë provë nuk citohet si mbështetje. Asnjë shpjegim nuk ofrohet për lidhjen e një njeriu që ka dalë në pension për pesë vjet me të njëjtin rrjet mbështetës si figurat e larta politike aktuale. SPO madje pohon se ka “prova të shumta për një rrjet të tillë mbështetës”, për ironi të fatit, pa iu referuar një prove të vetme të lidhur me z. Krasniqi”, thotë Alagendra.

Alagendra tutje kritikon Prokurorinë për mbështetjen e vazhdueshme që ka bërë në një postim të Jakup Krasniqit për ish-këshilltarin e Kurtit, Shkelzen Gashin, të cilin e quante “kolaboracionist”, për shkak të deklaratave të tij për UÇK-në.

Alagendra ka thënë se një deklaratë e tillë e Krasniqit nuk mund të përdoret si urë lidhëse me periudhën e luftës dhe atë të tanishme.

“SPO kërkon të mbështesë vendimin e kundërshtuar duke parashtruar se ” Sjellja e fundit e të akuzuarit duhet të interpretohet në mënyrë të arsyeshme si një përpjekje për të nxitur ose nxisin krime kundër personave të tillë dhe / ose një kërcënim që tregon qëllimin e tij për të kryer krimet e së ardhmes ”. 23 ‘Sjellja e fundit’ është një postim në Facebook, i cili thirri një parti politike “që të distancohet seriozisht nga patriotizmi i Dick MARTY’ ”. Edhe nëse dikush nuk pajtohet me zgjedhjen e gjuhës dhe mendimeve të z. Krasniqi, fjalët e tij nuk mund të interpretohet në mënyrë të arsyeshme si nxitje e krimeve ose si kërcënim për të kryer krime në të ardhmen. Ai nuk ka bërë dhe nuk bën thirrje për ndonjë veprim të dhunshëm ose kriminal”, ka thënë Alagendra.

“As përdorimi i të njëjtës fjalë nuk mund të bëhet 22 vjet më vonë dhe të supozohet se ka të njëjtin kuptim. Prandaj, mbështetja në këtë postimi për të justifikuar ndalimin ishte i paarsyeshëm”, thuhet tutje në parashtresë.

Bazuar në këto dhe arsye tjera, mbrojtja e Jakup Krasniqit ka kërkuar nga Apel që ta cilësojë kërkesën si të pranueshme dhe të urdhërojë lirimin e përkohshëm të klientit të tij.

Ndryshe, lajmi.net kishte raportuar më herët se një postim i Jakup Krasniqit për Shkelzen Gashin, që shërbeu për një kohë të shkurtër si këshilltar i Albin Kurtit, ishte marrë si bazë kryesore dhe arsye për t’a argumentuar faktin se pse Jakup Krasniqi duhet të mbahet në paraburgim.

Më poshtë keni statusin e Jakup Krasniqit të shkruar më 24 prill për Shkelzen Gashin:

Unë pres që organet drejtuese të LVV-së, kuptohet nëse Ato janë funksionale, të distancohen seriozisht nga “patriotizmi i Dick Martit”!Nëse ato nuk distancohet, atëherë ato janë politika të VV-së.

Disa shqipfolës kur i dëgjon e i sheh se si e çka flasin, nuk ka si mos të të vije keq për cektësinë e mendimit që shfaqin në publik, ndoshta nuk është edhe faji i tyre, flasin aq sa edhe dinë. Disa njerëz, kur flasin e shkruajnë për shekujt e robërisë apo për pak vitet e Lirisë, tërë mllefin e tyre e shfryjnë ndaj kontribuuesve të Lirisë e të Lavdisë, kuptohet në krahasim me shekujt e shumët të robërisë!

Edhe sot në medie tona, pretenduesit e majave shtetërore apo ata që janë ngritur në majat shtetërore e bëjnë të njëjtën gjë, sikur vërtet nuk kanë probleme të tjera për rreth tyre, por problemet i kërkojnë dhe i shohin vetëm e vetëm brenda përbrenda kombit e shtetit apo shteteve që i krijuan të virtytshmit e kombit. Mbase edhe nuk kanë faj pasi lloji i njerëzve që kurrë atdheut e kombit nuk ia bënë ndonjë argat për të qenë, kaq shohin e kaq dinë, mbase edhe kaq bëjnë! Të paditurve edhe nuk duhet tua zëmë për të madhe! Kur heshtin të urtët e virtytshëm, axhamive u falet hapësira e veprimit!

Është në natyrën e njeriut të flet atë që dinë! Ndërsa, koha i kërkon ata që dinë dhe kanë integritet në qëndrime e vendimet që koha i kërkon të merren. A koha e jonë i kërkon njerëzit e virtytshëm e me integritet të lartë!

E gjithë historia e jonë e lavdishme na tregon se: Integritetin njerëzit e virtytshëm e tregojnë në kohë të vështira!

Si përfundim: Në vitin 2010, Raportin e Dick Martin e kam quajtur -Raport racist. Çdo shqiptar që D. Martin e quan PATRIOT, qoftë në shërbim të Kryeministrit apo kudo tjetër, është kolaboracionist e në shërbim të politikave gjenocidiste të Millosheviqit!

Unë pres që organet drejtuese të LVV-së, kuptohet nëse Ato janë funksionale, të distancohen seriozisht nga “patriotizmi i Dick Martit”!Nëse ato nuk distancohet, atëherë ato janë politika të VV-së.

LITERAL.MEDIA

Lajmet e fundit

Të rekomanduara

Ekonomi
Teknologji
Hulumtime
Opinione
Take Me Top
Aktualitete Hulumtime Ekonomi Sport Shëndetësi Teknologji Opinione Rozë Kulturë Dossier 1001