Infektuar: 10987|Shëruar: 6506|Vdekur: 373

Tërmetet që kanë 'dridhur' Shqipërinë ndër vite

Tërmeti që goditi Shqipërinë, në mëngjesin e 26 nëntorit, do të mbahet mend gjatë në histori, shkruan Literal Media.

Ky tërmet la 51 persona të vdekur, rreth 800 të tjerë të plagosur dhe mijëra banesa e shtëpi të shkatërruara. Tërmeti ishte me magnitudë 6.4 të shkallës Rihter dhe me intensitet 7 ballë, epiqendra e të cilit ishte në Shijak. Qytetet më të dëmtuara ishin ato të Thumanës dhe Durrësit. Mirëpo ky nuk ishte tërmeti i parë me përmasa të tilla që goditi Shqipërinë, shkruan Literal Media.

Sa është e rrezikuar Shqipëria nga tërmetet?

Në hartën globale të rrezikut nga kjo dukuri natyrore, Shqipëria ndodhet në zonën e kuqe, duke u klasifikuar e 42-ta në mesin e vendeve me risk më të lartë nga tërmetet.

Shqipëria bën pjesë në brezin alpino – mesdhetar. Një situatë e tillë ka ardhur si rezultat i konfrontimit të pllakës së Adrias me një pjesë të Orogjenit. Zonat më të rrezikuara janë zona e bregdetit, zona e dytë që paraqet rrezikshmëri është zona e Leskovik – Korçë – Pogradec, ndërsa zona e tretë mbahet si zona e Lushnje – Elbasan – Peshkopi.

Sipas vlerësimeve, me probabilitet 75%, Shqipëria preket çdo vit nga një tërmet me magnitudë jo më të lartë se 4.7 ballë, një herë në 50 vjet nga një tërmet me magnitudë jo më të madhe 6.1 ballë dhe një herë në 100 vjet nga një tërmet me magnitudë jo më të lartë se 6.4 ballë. Ndër zonat më të ekspozuara nga tërmetet është bregdeti Lezhë – Ulqin, ku rrezikohen qytetet shqiptare të Shkodrës dhe Lezhës dhe qyteti Petrovac i Malit të Zi.

Literal Media ju sjell 'dridhjet' që ka përjetuar Shqipëria ndër vite.

Historiku i tërmeteve në Shqipëri

Nga dëshmitë që zotërohen deri më sot, rezulton që qysh prej shekullit II para Krishtit deri në ditët tona, Shqipëria është goditur prej 55 tërmetesh të fortë me intensitet deri në 8 ballë.

Si tërmete më të fuqishme janë ai i Apolonisë në vitin 217 p.e.s., në Durrës në vitet 334 dhe 506 të erës sonë, si dhe në vitin 1273.

Në 'historinë e re', tërmetet më të mëdha regjistrohen në Berat, Shkodër, Peshkopi e Librazhd.

Berati në vitin 1851, është tronditur nga lëkundjet e forta sizmike, duke shkaktuar mbi 400 të vdekur si dhe shkatërrim të gjitha ndërtesave. Në këtë zonë janë vërejtur plasaritje të mëdha toke, rrëshqitje dhe pluhur me squfur.

Shkodra është një tjetër qark i cili është shkatërruar dy herë. Sipas të dhënave rezulton se në vitin 1905 tërmeti në Shkodër la pas 200 të vdekur si dhe rrënim të banesave. Ndërsa një tjetër tërmet i shënuar po në Shkodër ka qenë ai i vitit 1979, ku një tërmet 8 ballë shkaktoi 40 të vdekur dhe dëmtoi 17.118 shtëpi.

Elbasani poashtu futet në hartën e tërmeteve të fuqishme pasi në 1920 u regjistruan lëkundje që shkaktuan 14 viktima e mbi 300 të plagosur si dhe shumë shtëpi të shkatërruara.

Në zonën Librazhd–Dibër në vitin 1959 u shënua një tërmet 6.6 ballë. Ndërsa raportohet se në atë kohë pati 12 të vdekur dhe 174 të plagosur. Në 1 shtator të 1959-ës, tërmeti përfshiu zonën e Myzeqesë. Në total janë dëmtuar 944 shtëpi, ndërkohë që shkatërrohen shumë objekte të tjera.

Tërmeti i fundit i shtohet kësaj liste dhe rikuperimi i vendbanimeve dhe normalizimi i jetës për të prekurit nga tërmeti do të marrë shumë kohë.


LITERAL.MEDIA

Lajmet e fundit

Të rekomanduara

Teknologji
Opinione
Take Me Top
Aktualitete Hulumtime Ekonomi Sport Shëndetësi Teknologji Opinione Rozë Kulturë Dossier 1001