Tërmet identitar

Tërmeti në Shqipëri më mirë se çdo gjë tjetër e dëshmoj se a e pranojnë njëri tjetrin, një shqiptarë i Shqipërisë dhe një i Kosovës se i përkasin të njëjtit komb. Në këtë fatkeqësi reagimet e shumta e të ndryshme nga të dy anët e kufirit kishin anën humane dhe jo vetëm, por mbi të gjitha ato prekën majën e solidaritetit, përkushtimit por edhe gatishmërisë për sakrificë, falë sidomos ndjenjës së të qenunit të përkatësisë së njëjtë, asaj kombëtare.


Shkruan: Faton Abdullahu

Ditë më parë një prezantuese e një programi të mëngjesit në Kosovë krejt e relaksuar gjatë emisionit që s’kishte të bënte aspak me çështje identitare, as me ndonjë raport Kosovë Shqipëri, se si e ndërlidhi muhabetin me mysafirin e saj dhe duke buzëqeshur, por disi si me nënçmim, shprehte habinë se si mund t’i thonë ‘ata t’Shipnisë’ dredhëzës, luleshtrydhe. Kur pak javë më parë në Kosovë u zhvillua ndeshja futbollistike Kosovë – Angli u rihap debat i zjarrtë se si duhet të quhet ekipi futbollistik i Kosovës, kombëtare apo përfaqësuese. Me këtë rast disi u hap një lloj gare e përçudnume ndërmjet atyre që duke e preferuar emërtimin kombëtare, jo vetëm që e duan më shumë Kosovën, por janë edhe për atë që po krijohet kombi kosovar, kurse në anën tjetër, ata që preferojnë të quhet përfaqësuese e nënvlerësojnë atë që po krijohet, shtetin e Kosovës dhe duan që ai të bashkohet më Shqipërinë. Ky debat u shtrua gabueshëm, dhe jo pak u deformua, por se krejt këto nuk janë sajesa artificiale nga dikush për diçka, por ka të vërteta që thjeshtë janë probleme identitare serioze e shpreh po këto ditë edhe më mirë, një anketë serioze e bërë nga një institucion ndërkombëtar për problemet identitare në Kosovë e Shqipëri, apo thënë më saktë ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë. Me këtë rast u vërtetuan jo pak probleme identitare në këtë drejtim gjë që është shumë normale për një komb si ai shqiptar i cili tash e një shekull ka jetuar ndaras në rrethana jo të njëjta shoqërore politike dhe jo vetëm. Por në këtë anketë u dëshmua një e vërtetë, gati e pabesueshme se, shqiptarët e Shqipërisë sot e duan më shumë se shqiptarët e Kosovës bashkimin kombëtar Shqipëri Kosovë.

E pabesueshme, sepse gjithmonë ishte ndryshe. Gjakimi i Kosovës për bashkim ishte i vjetër sa edhe ndarja e tyre nga Shqipëria dhe përpjekja për bashkim me Shqipërinë për Kosovën ishte në të njëjtën kohë përpjekje për çlirim nga Serbia, përkatësisht Jugosllavia, karakteristikë kjo e cila nuk ekziston që nga shpallja e pavarësisë së Kosovës. Përndryshe sot të gjitha parametrat tregojnë se kosovacentrizmi kurrë nuk ka qenë më i madh në Kosovë dhe dëshira e shqiptarëve të Kosovës për tu bashkuar me Shqipërinë kurrë nuk ka qenë në nivel më të ulët se sa sot. Arsyetimet, rrethanat, shpjegimet për këtë realitet janë nga më të ndryshmet, por kjo si duket nuk është gënjeshtër dhe nuk janë të paktë ata që kanë filluar të flasin dhe justifikojnë krijimin e ‘kombit kosovar’. A është kështu në të vërtetë, apo mos dëshmoj dhe ngjalli diçka tjetër tërmeti në Shqipëri, që në të parë na dukej se ishte e përgjumur dhe po davaritej.

Një nga teoricientët më të mirë mbi kombin, gjermani Ernest Gelner, në njërën nga konstatimet e tij më të popullarizuara dhe gjerësisht të pranueshme në shkencat politike thotë se ‘dy persona i përkasin kombit të njëjtë nëse dhe vetëm nëse ata e pranojnë njëri tjetrin se i përkasin të njëjtit komb’. Si mund të përgjigjen për njëri tjetrin sot, pyetjes – a është ai shqiptar – dy persona njëri nga Shqipëria dhe tjetri nga Kosova? A e pranon një person nga Shqipëria një person nga Kosova se ai është shqiptarë dhe anasjelltas.

Mua dje më la përshtypje shumë ajo që postoj në ,Facebook’ gazetarja e njohur nga Shqipëria Sonila Meço e cila si duket e fascinuar me reagimin e institucioneve dhe qytetarëve të Kosovës tha ‘O Kosovë, oj loçkë! Të du me shpirt, se shpirtit të kombit po di t’i japësh frymë! Mendjes së kombit mend’.

Në anën tjetër gazetari i Klan Kosovës Alaudin Hamiti në emisionin NIN dedikuar enkas ndihmave për të tejkaluar gjendjen nga tërmeti në Shqipëri, kur një plakë e sëmurë nga kanceri thirri me telefon dhe ofroj 50 euro, ai nuk u përmbajt dhe jo vetëm që qau, por i bëri të gjithë të pranishmit në studio të qajnë, mbase edhe shumë e shume shikues që e përcillnin këtë emision drejtpërsëdrejti. Përgjithësisht reagimi i institucioneve të Kosovës, sidomos Ushtrisë dhe Policisë, organizatave të ndryshe, iniciativave individuale, për ta ndihmuar Shqipërinë tejkaloj çdo pritshmëri, thjeshtë ishte mbresëlënëse, unike. Duket se që nga përfundimi i luftës asgjë nuk ka ngjallur më shumë se kjo fatkeqësi këtë shkallë të konsolidimit dhe reagimit unik në Kosovë. Asgjë nuk ka vënë më shumë në lëvizje ndjenjën vëllazërore dhe gatishmërisë për ndihmë por edhe përkushtim e flijim. Shembuj ilustrues pati aq shumë me plotë dinjitet njerëzor, por edhe krenari kombëtare. Deri sa po i shkruaj këta rreshta shembuj të tillë po shtohen. Tërmeti në Shqipëri më mirë se çdo gjë tjetër e dëshmoj se a e pranojnë njëri tjetrin, një shqiptarë i Shqipërisë dhe një i Kosovës se i përkasin të njëjtit komb. Në këtë fatkeqësi reagimet e shumta e të ndryshme nga të dy anët e kufirit kishin anën njerëzore dhe jo vetëm, por mbi të gjitha ato prekën majën e solidaritetit dhe përkushtimit falë parasegjithash ndjenjës së të qenunit të përkatësisë së njëjtë, asaj kombëtare.

LITERAL.MEDIA

Lajmet e fundit

Të rekomanduara

Ekonomi
Hulumtime
Opinione
Take Me Top
Aktualitete Hulumtime Ekonomi Sport Shëndetësi Teknologji Opinione Rozë Kulturë Dossier 1001