Infektuar: 106|Shëruar: 1|Vdekur: 1

Stili ligjërimor që e karakterizoi Milaim Zekën në fjalimet e tij në Kuvend të Kosovës

Edona Salihu

Janë të shpeshta rastet kur deputetët e Kuvendit të Republikës së Kosovës, përveç stilit që i përmbahet normës standarde, përdorin edhe stile të tjera të cilat ikin nga norma, duke u larguar në aq masë saqë të ketë edhe përdorim të stilit të shkujdesur- të quajtur si stil i kafeneve, pasi në këtë stil nuk kemi respektim të normës.

Një ndër deputetët të cilët në disa raste kanë pasur përdorim të gjuhës së stilit të shkujdesur në Kuvendin e Republikës së Kosovës, por jo vetëm në kuvend, është deputeti Milaim Zeka.

Deputeti Zeka, ka nisur fjalimet me disa fjalë të këtij stili, duke eskaluar deri në përdorime më ekstreme fyese drejtuar deputetëve të Kuvendit.

Për analizim të fjalimeve kemi zgjedhur tri nga fjalimet e tij të mbajtura në Kuvendin e Kosovës.

Njëri, është fjalimi i mbajtur me rastin e mbledhjes për interperlancë në Kuvend.

Fjalimi i dytë është zgjedhur i datës 10 shtator 2017, me rastin e seancës së jashtëzakonshme.

Rasti i tretë është zgjedhur i datës 04 gusht të vitit 2017, ku deputeti Milaim Zeka u drejtohet deputetëve me disa fjalë që i ikin normës standarde.

Në fjalimin e parë të deputetit Zeka, kemi këtë stil të shkujdesur, shembull:

Me fjalën idiot autori tregon stilin e tij të shkujdesur në ligjërim në bazën e gjuhësisë, pastaj fjala tutet, i takon stilit të shkujdesur, poashtu edhe fjala mizerie, edhe me fjalët po i’a lani me akull krytë, fjala gërditë, fjala nime dhe vaki, i kanë takuar po këtij stili të ligjërimit.

Me fjalën dynjanë, Zeka ka përdorur stilin e shkujdesur, kur e themi këtë bazohemi në faktin se Xhevat Lloshi format e vjetruara të përdorimit të gjuhës i rendit tek stili i shkujdesur.

Përdorimi tjetër i gjithë fjalisë, a i kishit hanger shkijet me dhembe a, tregon një fjalor të tij gjuhësor vulgar dhe të shkujdesur( Abdullah Konushevci e quan stilin e shkujdesur, stil vulgar).

Me c’rast pas këtij përdorimi, deputeti poashtu përdor një tjetër fjali në Kuvend të Republikës së Kosovës para deputetëve e duke i’u drejtuar gjithë opinionit publik me përdorimin e fjalisë, njerëzit po i ndërrojnë gratë kur po i’u vjetërohen. Edhe me këtë rast, fjalori i deputetit është larguar nga norma standarde, duke përdorur stil të shkujdesur.

Ashtu siç shkruan edhe Xhevat Lloshi në librin “Stilistika e gjuhës shqipe dhe pragmatika”, në këtë rast është përzier forma e pakulturuar e ligjërimit që ka përkuar me stilin e shkujdesur.

Fjalimi i deputetit Zeka nuk përmbyllet me kaq, ai përdor edhe disa fjalë të tjera në të njëjtin fjalim që përkojnë me stilin e shkujdesur.

Rast i tillë është përdorimi i të njëjtës fjalë të përsëritur: dërrtaj dërrtaj, mos bëni dërrtaj dërtaj i’u drejtohet ai deputetëve.

Të mos na kallzon përralla qeveria, autori i thotë deputetëve dhe i drejtohet opinionit publik duke bërë me këtë rast krahasimin e qeverisë me përrallat, edhe me këtë rast ai largohet nga norma standarde e gjuhësisë, duke përdorur stil të shkujdesur.

Me fjalinë, pacientët po përpiliten, deputeti Zeka zgjedh që vuajtjet e pacientëve në spitale t’i përkufizoi me këtë fjalë që i takon stilit të shkujdesur (vulgar).

Qytetarët e këtij vendi kanë me kqyr qysh mi marr me veti lopët e bullicat me ik prej këtij vendi, në këtë fjali autori përdor dy fjalë që nuk afrohen me përdorimin e standardit, pra në Kuvend deputeti Zeka kalon në stil të shkujdesur të ligjërimit.

Ai përdor edhe fjalën qisajde, duke e zëvendësuar me fjalën këtej nga standardi. Me këtë rast ai tregon përdorim të fjalëve me stil të shkujdesur.

Me kësi temash bajate dhe kësi debatesh palidhje- Autori përmbyll fjalimin e tij me rastin e seancës së jashtëzakonshme të interperlancës, duke treguar përdorimin e fjalëve të stilit të shkujdesur që ai përdor në Kuvend.

Pra, brenda një fjalimi deputeti Milaim Zeka ka përdorur 17 fjalë dhe fjali që kanë përkuar me stilin e shkujdesur të ligjërimit.

Në fjalimin që kemi analizuar më lartë, norma standarde në 17 raste nuk ka vepruar si sistem, janë përzier disa forma krahinore, si fjalët (qisajde), (bajate), (palidhje). Fjalët janë shtrembëruar, si psh. fjala (përpiliten), duke e zëvendësuar me vuajtjen e pacientëve. Forma të pakulturuara të përdorimit të fjalisë (Njerëzit po i ndërrojnë gratë, kur po vjetërohen), me c’rast është krijuar stili i shkujdesur i ligjërimin nga deputeti Milaim Zeka, në fjalimin e tij në Kuvend.

Analizimi i fjalimit të deputetit Zeka me rastin e seancës së jashtëzakonshme të Kuvendit më datën 10 shtator 2017

Deputeti Zeka në fjalimin e tij të mbajtur me rastin e seancës së jashtëzakonshme të Kuvendit të Republikës së Kosovës, ka përdorur 16 herë fjalët që kanë përkuar me përdorimin e fjalorit me stil të shkujdesur të ligjërimit, duke ikur nga norma standarde.

Me fjalën vllaqitni, deputeti Zeka, i’u drejtohet kolegëve të tij deputetë, me një stil të shkujdesur të ligjërimit. E përveç kësaj ai nuk lë pa i’u drejtuar kolegëve të tij edhe me fjalët rrugaqë e maskarenj.

Edhe me fjalët hiq mos ta nin, sabah dhe avash, deputeti ka treguar stil të shkujdesur në këtë fjalim.

Gjatë fjalimit, gjuha e tij shkon duke anuar kah stili i shkujdesur, këtë ai e tregon edhe me përdorimin e fjalës mos shkelmo, e shkelmoni ju. Me përdorimin e fjalisë, unë do të ha niher, atëherë hani ju, deputeti Zeka ka treguar moszbatim të normës dhe të kërkesave të kulturës në gjuhësi dhe në stilin e tij individual. Kurse, me përdorimin e fjalisë, gjoja ne kemi ra në prehrin e Vuçiqit, tregon shtrembërim të gjuhës dhe stilit ligjërimor duke kaluar në të shkujdesur. Ashtu sic thotë edhe autori Xhevat Lloshi se “format e moszbatimit të normës standarde, dhe shtrembërimi i gjuhës duke përdorur forma të pakulturuara ka të bëjë me stilin e shkujdesur”.

Deputeti Zeka, në këtë fjalim nuk ndalet por vetëm sa vjen e përdor fjalë të tjera, duke vazhduar me ju keni vllaqitë bashkë, me ç’rast ai sjell përdorim të fjalëve krahinore që përkojnë me stilin e shkujdesur, pastaj fjala kartat e idiotizmit, ku Zeka tregon shkujdesje në përdorim gjuhësor, dhe më vonë, përdorimi i fjalisë ju e keni bo kulaqin me këta.

Fjalori i tij, me fjalët që nuk përkojnë me normën standarde të gjuhësisë , dhe stili i tij i shkujdesur vazhdon edhe më tutje brenda një fjalimi pesë minutësh në seancën e jashtëzakonshme të Kuvendit ku ai përdor edhe fjalën sallamadi, duke bërë shtrembërim gjuhësor dhe zëvendësuar këtë fjalë me ndonjë fjalë tjetër që përkon me gjuhësinë dhe i ofrohet normës standarde të ligjërimit.

Fjalimi largohet nga norma standarde, kur deputeti Zeka i’u drejtohet disa deputetëve me fjalinë, ju e keni kthyer bëthen nga Beogradi, me ç’rast liria e fjalës është shpërdoruar, (Xhevat Lloshi përdorimin e këtyre fjalëve e quan shpërdorim).

Me sa vërejtëm, në këtë fjalim të deputetit Milaim Zeka drejtuar deputetëve të Kuvendit të Republikës së Kosovës, pamë që ai ka përdorur në vetëm një fjalim 16 fjalë dhe fjali që kanë përkuar me stilin e shkujdesur të ligjërimit, dhe i është larguar deri në rastet më të skajshme normës standarde, duke përdorur fjalor deri në rastet më banale, si rasti i fundit, që e kemi lartëcekur.

Analizimi i fjalimit të Zekës më 4 Gusht 2017 në Kuvend të Republikës së Kosovës

Në fjalimin e tretë të deputetit Zeka, me rastin kur ai merr fjalën në seancë për të mbajtur fjalimin e tij tre minutësh i cili ndërpritet në gjysmë nga kryesuesi Adem Mikullovci, gjatë analizës nuk kemi vërejtur raste të shumta ku deputeti Zeka kalon në shkujdesje gjatë përdorimit të stilit të tij të ligjërimit.

Dy raste që kemi hasur ka qenë ai i përdorimit të fjalisë qe po e kallim Kosovën, ku deputeti Zeka ka treguar prirje për t’u veçuar, për të bërë përshtypje, për të ngjallur reagime, me c’rast ka bërë shmangie nga norma standarde.

Ashtu sic thotë edhe autori Xhevat Lloshi në librin e tij ‘Stilistika e gjuhës shqipe dhe Pragmatika’, se ligjërim i shkujdesur është ai në të cilin norma standarde nuk vepron si sistem, përzihen forma të ndryshme letrare e krahinore, të shtrembëruara e të pakulturuara, të vjetruara e të sapo krijuara. Si pasojë, tipar i përgjithshëm bëhet paqëndrueshmëria, lëvizja e shpejtë e dukurive.

Me rastin e përdorimit të fjalisë qe po e kallim Kosovën, deputeti Zeka ka treguar formë të përzier të vjetruar të gjuhësisë, duke e zëvendësuar fjalën ‘kallim’ me atë ‘djegim’ dhe ‘qe’ me ‘ja’, dhe rasti tjetër me të ba horë. Me c’rast ka përkuar me stilin e shkujdesur të ligjërimit në gjuhësi.

Në tri fjalimet e zgjedhura të deputetit Milaim Zeka, në tri data të ndryshme të seancave, në Kuvendin e Kosovës, mund të përfundojmë që fjalorin e deputetit Zeka e ka karakterizuar një përdorim i madh i fjalëve që kanë përkuar me stilin e shkujdesur të ligjërimit në gjuhësi duke ikur shumë nga norma standarde.

Ka pasur raste kur deputeti Zeka i ka fyer deputetët duke i’u drejtuar mos bëni dërrtaj dërtaj, me c’rast i krahason ata me kafshët. mos shkelmo, e shkelmoni ju, duke i krahasuar ata prapë me kafshët.

Pastaj, ka drejtuar fyerje edhe ndaj grave, duke thënë “njerëzit po i ndërrojnë gratë kur po i’u vjetërohen”, (me konstatimin se vetëm burrat qenkan njerëz, kurse gratë jo, dhe se ato janë gjësende që të ndërrohet.

Gjatë analizimit të tri fjalimeve të deputetit Zeka, pamë që në fjalimet e tij në Kuvend në rastet ku ka përdorur këtë stil të ligjërimit ka pasur disa qëllime gjuhësore: Ta shtrembëroi gjuhën duke përdorur fjalë dhe fjali të cilat kanë përkuar me shtrembërime me fjalët (po ha une niher,hani ju, sallamadi), pastaj gjuhën e përdorur me fjalët me elemente të vjetërsisë (kalim, qe), si dhe forma e ligjërimit në këto raste ka qenë e pakulturuar, nga ana e deputetit Zeka( keni vllaqitë, mos shkelmoni), dhe eskalimi i tij në stil të ligjërimit( njerëzit po i ndërrojnë gratë), me c’rast ka konstatuar se gratë nuk janë njerëz, dhe se ato janë gjësende të ndërrohen, pastaj një eskalim në gjuhën e tij me fjalën ( ju e keni kthy bëthen nga Beogradi), ku kjo fjali është kulmi i të gjitha fjalëve të tjera të përdorura me stil të shkujdesur gjatë fjalimit të tij në seancën e Kuvendit të Republikës së Kosovës.

Stili i i tij i përdorur, në 36 raste nuk ka lejuar që norma standarde të veproi si sistem.


LITERAL.MEDIA

Lexo po ashtu

Lajmet e fundit

Të rekomanduara

Teknologji
Opinione
Take Me Top
Aktualitete Hulumtime Ekonomi Sport Shëndetësi Teknologji Opinione Rozë Kulturë Dossier 1001