Infektuar: 125|Shëruar: 10|Vdekur: 1

Qalaj: Jemi të detyruar që policët me sëmundje t’i mbajmë, i domosdoshëm pensionimi i parakohshëm

Drejtori i Policisë së Kosovës, Rashit Qalaj, thotë se është problematike çështja e punonjësve me sëmundje të rënda në këtë institucion.

Ai tha se janë në një pozitë të vështirë edhe për shkak se nuk po pensionohen para kohe policët në mënyrë që të zvogëlohet numri i rasteve të tilla, njofton Klan Kosova.

“Kemi një numër mjaft të madh të policëve që vuajnë nga sëmundjet e rënda, numri i tyre është 120 me sëmundje të rënda si kanceri, të zemrës dhe të ndryshme. Po ashtu, janë disa individë që trajtohen për probleme psikologjike. Të gjitha këta trajtohen nga shërbimet tona shëndetësore. I rekomandojnë për kontrolle mjekësore tek spitali që është i kontraktuar nga ne. Ata i dërgojmë në kontrolle të vazhdueshme, sistematike dhe i dërgojmë edhe jashtë vendit, sidomos në Turqi”.

Qalaj në Zona B tha se edhe po të përjashtohen këta persona është e vështirë edhe në aspektin moral duke shtuar se mund të ketë edhe pasoja të tjera ne vetë gjendjen e tyre shëndetësore po t’u ndërpritej marrëdhënia e punës.

“Por, kjo është një situatë shumë e vështirë të kesh më shumë se 100 punëtorë më sëmundje të tilla. Nuk kemi ndonjë mënyrë tjetër si t’i trajtojmë sepse po të kishte ndonjë ligj për pensionim të parakohshëm. Jemi të detyruar si institucion edhe unë si drejtor që këta njerëz t’i mbajmë brenda sistemit që edhe t’i trajtojmë, por edhe ta ndjejnë veten që janë pjesë e këtij sistemi”.

“Paramendoni çfarë pengese është ta kemi një person të sëmurë, qoftë nga kanceri apo zemra. Është pengesë e madhe edhe për të tjerët. Nuk kemi asnjë ditë që nuk detyrohemi ta thërrasim emergjencën që t’i çojnë këta njerëz në spitale”.

“Kemi kolegë të tjerë që për shkak të lëndimeve apo sëmundjeve janë në detyra të lehta, por këta 120 janë vazhdimisht me sëmundje të rënda dhe kronike. Ne detyrohemi që të gjejmë një mënyrë që ata t’i kemi në radhët tona”.

“Paramendoni çfarë do të kishte ndodhë po t’ia ndërpresim marrëdhëniet e punës dhe në mungesë të parave të bëjë ndonjë vetëvrasje? Si do të ishim ndie ne moralisht dhe si do të kishte reaguar shoqëria dhe mediat?”.

Qalaj tha se policët sëmuren edhe gjatë detyrës për shkak të rasteve të rënda që trajtojnë, prandaj ky institucion është edhe përgjegjës për ata.

“Njerëzit që janë të sëmurë kanë kaluar situata të vështira edhe në trajtimin e rasteve. Unë kam qenë në vend të ngjarjes që i kanë trajtuar viktimat e këtij rasti të Gjilanit. A mendoni që policët nuk kanë ndjenja dhe emocione? Pavarësisht sa i fortë të jetë profesionalisht, prapë se prapë do të ketë pasoja shëndetësore emocionale”.

“Por ne në kuadër të strukturës organizative kemi njësitë për këshillim. Edhe në këtë rast të Gjilanit janë trajtuar kolegët e parë që kanë qenë në vendin e ngjarjes. Ata përveç që janë shqetësuar kanë qenë edhe me trauma për shkak të situatës tepër të rëndë”.

Në fund, Qalaj bëri një apel për Qeverinë e re që të shtyjë përpara sa më shpejt që është e mundur Ligjin për Pensionim të parakohshëm për policët, sepse në këtë mënyrë mund edhe të reduktohet numri i personave të sëmurë në institucionin për siguri.

“Policët kanë vullnet për punë dhe s’po ankohemi për ndonjë gjë, por është e nevojshme që policët e Kosovës të kenë siguri shëndetësore dhe jetësore”.

“Nëse ne konsiderohemi si një institucion i ri, si shtet i ri, si polici jemi më e vjetra për nga mosha dhe kjo është shumë keq”.

LITERAL.MEDIA

Lajmet e fundit

Të rekomanduara

Teknologji
Opinione
Take Me Top
Aktualitete Hulumtime Ekonomi Sport Shëndetësi Teknologji Opinione Rozë Kulturë Dossier 1001