Pa shkollë e pa punë, personat me aftësi të veçanta diskriminohen nga Prishtina

Në Kosovë jetojnë rreth 250.000 persona me aftësi të kufizuara, apo shprehur në përqindje rreth 10% e popullsisë së përgjithshme. Shteti ka për detyrë krijimin e kushteve të nevojshme për një jetesë sa më normale të kësaj kategorie të shoqërisë, shkruan Literal Media.

“Shoqata e paraplegjikëve dhe paralizës së fëmijëve të Kosovës” është themeluar në vitin 1983. Objektivë kryesore e Shoqatës ishte “përmirësimi i të drejtave dhe i standardeve të jetesës së personave me aftësi të kufizuar në Kosovë. Përkundër iniciativave të kësaj shoqate dhe detyrimeve që ka shteti, një klimë e tillë nuk është arritur.

Literal Media ka kontaktuar Drejtorin e HANDIKOS-it dhe të Këshillit të personave me aftësi të kufizuara, z. Afrim Maliqin i cili ka treguar problemet kryesore me të cilat përballet kjo organizatë dhe kategori e shoqërisë.

'Shqetësimet tona si HANDIKOS janë që ne si organizatë e personave me aftësi të kufizuara nuk mund t’i përmbushim detyrat e tyre meqenëse bazohemi 100 për qind me projekte. Jo vetëm projektet, por ne thirremi për të drejtat e tyre, të cilat nuk përmbushen duke u bazuar në legjislacionin aktual, i cili fatkeqësisht nuk zbatohet apo zbatohet shumë pak'- tha Maliqi.

Dy nga të drejtat themelore që i takojnë personave me aftësi të veçanta janë e drejta për shkollim dhe e drejta për punësim, e asnjëra nga këto nuk respektohen sa duhen përkundër kornizës ligjore ekzistuese në Kosovë.

'Personat me aftësi të kufizuara ballafaqohen me situata të vështira, duke filluar prej arsimimit të fëmijëve, i cili sipas vlerësimeve tona del se një numër shumë i madh i tyre nuk janë të përfshirë në arsim, si pasojë e mos mbështetjes adekuate nga familjet e tyre, nën asistencën personale, mos infrastruktura e përshtatshme fizike, mos qasja në transport të përshtatshëm etj. Kjo tregon arsyen e mospërfshirjes së një numri shumë të madh të tyre në arsim. Shqetësim tjetër është që personat me aftësi të kufizuara në Kosovë ballafaqohen me mos punësimin dhe mos zbatimin e Ligjit për Punësim, mungesën e pajisjeve dhe mungesën e shërbimeve të duhura për ta, infrastrukturën e papërshtatshme dhe mos mundësinë e lëvzjes së lirë sikurse qytetarët e tjerë'- tha z. Afrim Maliqi për Literal Media.

Infrastruktura e objekteve, sipas ligjit, duhet të jetë e ndërtuar në atë mënyrë që personat me aftësi të kufizuara të mos jenë të diskriminuar.

Por sa ka arritur Komuna e Prishtinës ta zbatojë ligjin?

Sipas Mailiqit në një hulumtim të bërë në vitin 2016 në Komunën e Prishtinës, rezultatet e marra nuk janë të kënaqshme.

'Hulumtimi është zhvilluar diku në 96 objekte dhe asnjëri nuk i ka përmbushur kriteret sipas udhëzimit administrativ 2007/33 që bazohet në Ligjin për Ndërtim.. Sidomos në Universitetin e Prishtinës, i cili është faktori kryesor që personat me aftësi të kufizuara, në veçanti përdoruesit e karrocave nuk mund të ndjekin studimet për shkak të infrastrukturës së paqasshme'-shtoi mes të tjerash Maliqi.

Ligji për mbrojtje nga Diskriminimi thekson që nëse personi nuk mund ta marrë një shërbim për shkak të infrastruktuërs të paqasshme, konsiderohet diskriminim. Bazuar në këtë ligj, z.Maliqi thotë se komuna i ka kompetencat e plota që ta zbatojë këtë udhëzim dhe ta rregullojë qasjen.

'Për këtë çështje, ne i jemi drejtuar sa e sa herë komunës së Prishtinës, duke i ofruar edhe zgjidhje dhe duke e bërë edhe një plan të veprimit lokal vetëm për komunën e Prishtinës. Me këtë rast, komuna e ka aprovu këtë plan, por fatkeqësisht nuk ka hasë fare në zbatim'- ka përfunduar z.Maliqi.

Institucionet e shtetit duhet ta zbatojnë ligjin dhe të krijojnë infrastrukturën e duhur në mënyrë që personave me aftësi të kufizuara tu mundësohet qasje në jetën publike, kulturore, punë e arsim ashtu siç çdo qytetari tjetër të Republikës së Kosovës.

Shkruan: Bardha Kololli


LITERAL.MEDIA

Lajmet e fundit

Të rekomanduara

Ekonomi
Hulumtime
Opinione
Take Me Top
Aktualitete Hulumtime Ekonomi Sport Shëndetësi Teknologji Opinione Rozë Kulturë Dossier 1001