Infektuar: 1048|Shëruar: 801|Vdekur: 30

Objekti i harruar i komitetit “Mbrojtja Kombëtare e Kosovës” në Shkodër

102 vjet më parë Shkodra ishte shndërruar në epiqendër të aktiviteteve për Kosovën. Nga 7 nëntori i vitit 1918, aty ishte vendosur selia e komitetit “Mbrojtja Kombëtare e Kosovës”. Krerë të përndjekur nga Serbia, si Hoxhë Kadriu, Hasan Prishtina, Bedri Pejani, Bajram Curri e Elez Isufi, do t’i orientonin energjitë e tyre në nxitjen e kryengritjeve në Kosovë me qëllim të çlirimit nga pushtimi serb.

“Qëllimi i Kanunit e Komitetit t’ynë basohet në librimin e Kosovës prej thojve të Serbiës”, thuhet në shkresën e lëshuar nga ky komitet më 3 janar 1920.

Por ndërtesa e sotme në qendër të qytetit të Shkodrës, ku funksionoi për disa vjet “Mbrojtja e Kosovës”, gjendet thuajse e harruar. Statusi i saj si “monument kulture” nuk e ka shpëtuar nga degradimi i vazhdueshëm. Objekti në pronësi private daton rreth shekullit XIX (1897‐1900) dhe ndodhet në qendër të qytetit të Shkodrës, pranë rrugës “Komiteti i Kosovës”.

Në fund të muajit prill, ish-ambasadori i Kosovës në Tiranë, Sylë Ukshini, kishte njoftuar se në ndërtesën dykatëshe po zhvilloheshin punime, teksa kishte tundur kambanat se ekzistonte frika që, në rrethanat e pandemisë, objektit mund “t’i ndërrohej desinimi apo edhe të rrënohej”. “Çfarë po ndodh me monumentin e komitetit ‘Mbrojtja Kombëtare e Kosovës’”, ka qenë titulli i shkrimit të tij botuar në “Shtojcën për kulturë” në “Koha Ditore” më 25 prill të këtij viti. Prej atëherë gazeta u është drejtuar me pyetje autoriteteve në Shkodër, por edhe Ministrisë së Kulturës në Shqipëri. S’ka marrë përgjigje deri më tash.

Edhe vetë kryetarja e Bashkisë së Shkodrës, Voltana Ademi, sipas Ukshinit, nuk kishte qenë në dijeni të punimeve. “Për momentin nuk kam dhënë ndonjë leje”, ishte cituar Ademi.

Disa fotografi të bëra nga vendi i ngjarjes paraqisnin një “gardh” llamarinash që ishin vënë përpara pjesës ballore të ngrehinës. Por në fillimi të majit rrethojat do të tërhiqeshin nga rruga.

“Mendoj se kjo është një shenjë e mirë se mund të ketë reaguar Qeveria shqiptare. Kjo tregon se reagimi ynë ka qenë i duhur dhe i domosdoshëm”, ka thënë për KOHËN, Sylë Ukshini i cili menjëherë i kishte njoftuar autoritetet e të dyja shteteve shqiptare.

Sipas tij, Qeveria e Shqipërisë tani “duhet të garantojë paprekshmërinë e këtij monumenti dhe të zgjidhë kontestin pronësor nëse ekziston”.

Gjatë qëndrimit të tij në kuadër të misionit diplomatik, ai e kishte vizituar disa herë objektin që para një shekulli frekuentohej nga veprimtarë të shquar.

“Në këtë shtëpi më 7 nëntor 1918 u formua dhe zhvilloi veprimtarinë e vet komiteti ‘Mbrojtja Kombëtare e Kosovës”, është pllaka e vendosur në të majtë të derës në formë portiku.

Megjithëse regjimi komunist qysh më 1981 e kishte vënë këtë ndërtesë në listën e monumenteve të kulturës, për afro 4 dekada aty nuk është bërë ndonjë investim serioz.

Vetëm më 1992 ajo do t’i rikthehej pronarit të saj të ligjshëm – një familjeje e vjetër shkodrane.

Pavarësisht ngulmimit të gazetës për të marrë përgjigje zyrtare, Bashkia e Shkodrës nuk ka dhënë asnjë deklarim se për çfarë kishin nisur punimet në muajin prill dhe nëse ato kishin pasur dritën e gjelbër nga autoritetet lokale. As Drejtoria Rajonale e Trashëgimisë Kulturore Shkodër (DRTK) - institucion ky në varësi të Ministrisë së Kulturës – nuk ka dhënë ndonjë përgjigje për punimet e nisura në ndërtesën e Komitetit dhe as nëse planifikon ndonjë projekt për restaurimin e saj.

LITERAL.MEDIA

Lajmet e fundit

Të rekomanduara

Ekonomi
Hulumtime
Opinione
Take Me Top
Aktualitete Hulumtime Ekonomi Sport Shëndetësi Teknologji Opinione Rozë Kulturë Dossier 1001