Infektuar: 14939|Shëruar: 12325|Vdekur: 611

Në pritje të krijimit të Qeverisë së re, reforma në administratë mbetet pezull

Në Kosovë ka kohë që kanë filluar të zhvillohen reforma përmbajtësore të administratës publike, nën udhëheqjen e Ministrisë së Administratës Publike dhe Zyrës së Kryeministrit, shkruan Literal Media.

Paketa e planifikuar e reformave përfshin ligjet mbi zyrtarët publikë, ligjin për pagat dhe ligjin për organizimin dhe funksionimin e administratës shtetërore dhe agjencive të pavarura.

BE-ja mbetet e përkushtuar që reformat e vetë Kosovës t’i shoqërojë edhe me ndihmë. Për këtë arsye, BE-ja dhe Kosova kanë lidhur një Kontratë për Reformë Sektoriale për Reformë të Administratës Publike, e cila parashikon një ndihmë financiare prej 25 milion euro për Kosovën deri në vitin 2021. Kjo ndihmë është e ndarë në katër pagesa me një shumë maksimale prej 22 milion € në Buxhetin e Kosovës, dhe 3 milion euro asistencë teknike.

Këto synime mbulojnë fushat e mëposhtme:

1) politika dhe zhvillim legjislativ gjithëpërfshirës dhe të bazuar në fakte,

2) përmirësim të qasjes publike në dokumente,

3) përmirësim të profesionalizmit dhe menaxhimit të burimeve njerëzore,

4) përmirësim të shërbimeve për qytetarët dhe bizneset,

5) zvogëlim të barrës administrative për qytetarët dhe bizneset,

6) përmirësim të planifikimit të politikave,

7) administratë shtetërore më racionale dhe llogaridhënëse, dhe

8) qasje e përmirësuar në drejtësinë administrative.

Bazuar në Strategjinë për Modernizimin e Administratës Publike të publikuar nga Ministria e Administratës, sfidat kryesore se pse nuk po arrin të miratohet Ligji i Ri për Qeverinë janë:

1. Vonesat në zbatimin e sistemit të klasifikimit të vendeve të punës dhe sistemit të ri të pagave megjithëse sistemi ishte dizajnuar sipas Ligjit për Pagat e Nëpunësve Civil i cili është miratuar qysh në vitin 2010 si dhe Rregulloren për Klasifikimin e Vendeve të Punës në Shërbimin Civil e cila është miratuar në vitin 2012.

2. Vonesat në funksionalizimin e sistemit të menaxhimit të informatave në shërbimin civil dhe sistemi i dobët i monitorimit të zbatimit të legjislacionit të shërbimit civil.

3. Procesi i rekrutimit dhe avancimit në shërbimin civil dhe pamundësia e implementimit të plotë të parimeve të shërbimit civil për një shërbim civil jopolitik, të rekrutimit sipas meritës, si dhe ngritjes së profesionalizimit. Sipas Rregullorës 2001/36 mbi shërbimin civil te Kosovës fushëveprimi i shërbimit civil përfshinte të gjithë nëpunësit e paguar nga buxheti i Kosovës përveç anëtarëve të Këshillit të Pavarur Mbikqyrës, zyrtarëve të emëruar dhe anëtarve të Trupave Mbrojtes të Kosovës. Numri i përgjithshëm i nëpunësve civil dhe që ishte aplikuar gjatë viteve 2001 deri 2010 arrinte rreth 70.000 nëpunës. Këtu përfshiheshin të gjithë punëtorët e sektorit të arsimit, shëndetsisë, policisë etj.

4. Mungesa e një qasje strategjike në zhvillimin e shërbimit civil dhe zhvillimi i trajnimeve pa u bazuar në nevojat e shërbimit civil.

5. Sistemi jo i qartë i llogaridhënies, mungesë e zbatimit të parimeve të kodit të etikës në shërbimin civil.

Ligji ka mbetur ende pa u miratuar përkundër faktit që në fund të vitit 2019 Besnik Tahiri, Koordinatori Nacional për Reforma Shtetërore, kishte njoftuar se Reforma në Administratën Publike nga Qeveria Haradinaj ka filluar të japë rezultatet e para.

'Deri në nëntor, do të kompletohet e tërë rregullativa për Pakon e Ligjeve të Reformës së Administratës Publike', kishte njoftuar Tahiri.


Ai kishte shtuar se janë duke u trajtuar dhe definuar:

– Shtesat për kushte të vështira/dëmshme të punës;

– Shtesat për punë jashtë orarit të punës për nëpunësit e shërbimit publikë dhe nëpunësit administrativë e mbështetës;

– Shtesa e posaçme për nëpunësit e sistemit shëndetësor.

Në kuadër të reformave ishte edhe Ligji për zyrtarë që ngjalli diskutime të shumta madje edhe u dërgua në Kushtetuese. E lidhur me këtë gjë Tahiri tha se ky ligj ka normuar depolitizimin e administratës përmes rregullimin e mekanizmave më të efektshëm të meritokracisë.

'Ligji për Zyrtar Publik i cili ishte Ligji i parë që shkoj në Kushtetuese ka normuar depolitizimin e administratës përmes rregullimin e mekanizmave më të efektshëm të meritokracisë. Ky Ligj rregullon marrëdhënien e shtetit dhe zyrtarit publik. Me fusheveprimin e këtij Ligji garantohet siguri juridike për zyrtarët publik duke vendosur rregulla të qarta sa i përket pranimit dhe avancimit të zyrtarëve publik. Ky Ligj ka ndal kontratatën në vepër që ka qenë problem kronik i administratës së shtetit. Me këtë Ligj kemi siguruar që zyrtari publik i shtetit të Kosovës të mbrohet sikurse në secilin vend të Evropës. Pezulimi i gjatë i këtij Ligji e demton esencialisht reformën e shumëpritur të shërbimit civil. Pa dashur me u përzi, unë pres trajtim të shpejt dhe të drejt nga Gjykata Kushtetuese. Reforma nuk ndalet', thuhej në reagimin e Tahirit.

Rëndësia e këtyre e reformave ka ndikuar që Qeveria Haradinaj t'i vë si një ndër prioritetet e saj.

'Reforma e Administratës Publike mbetet ndër prioritetet kryesore të Qeverisë sonë. Në këtë kontekst Korniza Strategjike për Reformën e Administratës Publike 2015–2020 është një qasje e re e cila shënon vizionin dhe politikat strategjike, që Qeveria e Republikës së Kosovës synon t’i arrij brenda periudhës afatmesme, për të përmirësuar funksionimin e administratës publike dhe ofrimin e shërbimeve më të mira për qytetarët', thuhet në faqen zyrtare të Ministrisë së Administratës Publike.

Kosova është në prag të krijimit të Qeverisë së re pas zgjedhjeve të tetorit të vitit të kaluar, e bashkë me vendin pritet që edhe Ligji i Ri për reformat në administratë të fillojë aty ku ka mbetur.

Shkruan: Literal Media

LITERAL.MEDIA

Lajmet e fundit

Të rekomanduara

Ekonomi
Opinione
Take Me Top
Aktualitete Hulumtime Ekonomi Sport Shëndetësi Teknologji Opinione Rozë Kulturë Dossier 1001