Infektuar: 1048|Shëruar: 801|Vdekur: 30

Masakra e Tivarit dhe rishkrimi i historisë

Më 1 prill u bënë 75 vjet (19452020) nga Masakra e Tivarit, ku u likuiduan në mënyrën më mizore shqiptarët nga Kosova. Sipas të dhënave, del se ky numër shkon minimalisht nga 1560 shqiptarë, ndërsa sipas disa përllogaritjeve arrin deri në 3764 persona.

Fjala është për shqiptarët të cilët ishin të mobilizuar si rekrutë në aradhet partizane për të ndjekur armikun përfundimisht nga territori i ish-Jugosllavisë. Por, edhe pas shtatëdhjetë e pesë vjetëve, kjo tragjedi ende nuk është ndriçuar nga studiuesit e ndryshëm, nga vetë fakti se gjatë periudhës së sistemit komunist marrja me një ngjarje të tillë ishte e papreferueshme dhe me pasoja për autorët. Edhe pse në popull dihej për ketë tragjedi dhe pëshpëritej për numrin e të vrarëve, saktësisht pakkush dinte të dhëna të sakta, sepse arkivat për shqiptarët ishin nën embargo, madje dokumentet gjegjëse ka mundësi që janë zhdukur nga ato të cilët kanë realizuar këtë masakër.

Dëshmi autentike e atyre që përjetuan masakrën

Por, vetëm pas dështimit të sistemit monist dhe vendosjes së pluralizmit nga viti 1990, opinioni i gjerë filloi të njihej më në detaje për ketë masakër, e madje duke iu falënderuar dëshmitarëve autentikë, të cilët kishin shpëtuar nga kjo kasaphane tipike naziste e bërë nga pjesëtarët e aradheve partizane jugosllave gjoja “nacionalçlirimtare”.

Dhe janë këta individë, të cilët e përjetuan personalisht ketë masakër, të cilët kanë dhënë kujtimet e tyre për ketë kalvar të shqiptarëve nga mobilizimi i tyre në Kosovë dhe rrugëtimi ne relacionin PrizrenKukës-Shkodër-Tivar. Ndër ta bën pjesë edhe Azem Hajdini-Xani, i cili opinionit ia ka dhuruar librin “Tragjedia e Tivarit”, botuar në Shtutgard, në Gjermani, në vitin 1990, dhe më pas ribotuar në Prishtinë në vitin 1998. Po ashtu ky autor ka botuar edhe një botim tjetër me titull ”Masakra e Tivarit – Memoare”, Prishtinë 1998, duke prezantuar dëshmi autentike të personave, të cilët kanë mbetur gjallë.

Edhe pse ndërkohë janë botuar edhe disa studime nga autorë të tjerë për ketë masakër (M.Pirraku. U. Butka etj.), botimi i këtyre materialeve nga autori, i cili e ka përjetuar drejtpërdrejt këtë masakër, për momentin shërben si lëndë bazë dhe e domosdoshme për të trajtuar këtë tragjedi të bërë nga komunistët në prag të përfundimit të Luftës së Dytë Botërore, sepse arkivat ende janë të mbyllura për hulumtuesit shqiptarë.

Nisja nga Prizreni për në Tivar

Për të bërë plotësimin e Armatës IV të Jugosllavisë, për në Frontin VP të bregdetit të Adriatikut, në saje të të dhënave të publikuara del se në mars dhe prill të vitit 1945 u deportuan 22.017 luftëtarë shqiptarë nga Kosova. Ata janë deportuar në formacione ushtarake, të cilat quhen eshalone që gjatë muajve mars-prill 1945 nga Prizreni për në Tivar gjithsej ishin gjashtë eshalone të tilla.


LITERAL.MEDIA

Lajmet e fundit

Të rekomanduara

Ekonomi
Hulumtime
Opinione
Take Me Top
Aktualitete Hulumtime Ekonomi Sport Shëndetësi Teknologji Opinione Rozë Kulturë Dossier 1001