Infektuar: 125|Shëruar: 10|Vdekur: 1

Kufijtë përsëri në tryezën e bisedimeve? Flet Zyra e Borellit

Nga Brukseli as nuk i kanë mohuar e as nuk i kanë pohuar pretendimet rreth një takimi të mundshëm të Josep Borellit me disa ekspertë evropianë me të cilët thuhet ta ketë diskutuar mundësinë e korrigjimit të kufijve. Zëdhënësi Përfaqësuesit të Lartë të BE’së për Punë të Jashtme dhe Siguri, Peter Stano, në një përgjigje për Gazetën Express ka thënë se Borelli do të angazhohet për dialogun dhe do t’i adresojë të gjitha çështjet që ndërlidhen me normalizimin e raporteve Prishtinë-Beograd.

Pas krijimit të institucioneve të reja në Prishtinë, Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Evropian kanë rritur intensitetin e punës për të shtyrë Kosovën dhe Serbinë drejt një marrëveshjeje finale. SHBA-ja, me emisarin Richard Grenell, më shumë është e interesuar në avancimin e dy palëve në fushën e zhvillimit ekonomik, ndërkohë në anën tjetër Bashkimi Evropian përveç çështjeve teknike synon edhe dialogun politik.

Javë më parë në kryeqytetin gjerman, Përfaqësuesi i Lartë i BE’së, Josep Borell, thuhet të ketë zhvilluar një takim me disa ekspertë evropianë me të cilët ka diskutuar rreth mundësisë së shkëmbimit të territoreve dhe korrigjimit të kufijve. Siç ka shkruar ish-politikani dhe publicisti, Veton Surroi, Borell është interesuar të dijë nëse është zgjidhje që Serbia të marrë veriun e Kosovës. Ekspertët i kishin thënë Borellit që një gjë e tillë do të hapte “Kutinë e Pandorës”, derisa ky i fundit ishte kundërpërgjigjur me pyetjen “Po, si të bëhet që Serbia të fitojë diçka?”.

Pas këtyre pretendimeve, Gazeta Express ka dërguar pyetje në adresë të zyrës së Josep Borell për të sqaruar nëse vërtet ai ka zhvilluar një takim të tillë dhe nëse është interesuar për të rikthyer në tavolinën e diskutimeve temën e shumë kundërshtuar të prekjes së kufijve.

Zëdhënësi i BE’së, Peter Stano, as nuk i ka pohuar e as nuk i ka mohuar pretendimet e Surroit se Borell është i interesuar për korrigjim të kufijve dhe që Serbia të fitojë diçka nga negociatat, duke potencuar se Borell do të adresojë të gjitha çështjet që ndërlidhen me normalizimin.

“Përfaqësuesi i Lartë, Josep Borell, do të vazhdojë të angazhohet personalisht në Ballkanin Perëndimor përfshirë edhe punën për një marrëveshje të qëndrueshme dhe ligjërisht obligative mes Kosovës dhe Serbisë, duke adresuar të gjitha çështjet e normalizimit”, ka thënë Stano për Express.

Ai tutje ka thënë se marrëveshja duhet të jetë në pajtim me ligjin ndërkombëtar, rregullat e BE’së dhe të jetë e pranueshme për shtetet anëtare të BE’së dhe rajonin.

“Kjo marrëveshje me pëlqim të ndërsjellë duhet të jetë në përputhje me të drejtën ndërkombëtare dhe legjislacionin e BE’së, si dhe të jetë e pranueshme për shtetet tona anëtare dhe rajonin”, ka përfunduar Stano për Gazetën Express.

Vetë Surroi ka thënë se nëse Borelli do të futej në diskutime për korrigjim kufijsh, do të bënte të njëjtin gabim që kishte bërë ish-kryenegociatorja Federica Mogherini, me lëmshin trevjeçar në dialogun Kosovë-Serbi.

E pavarësisht kundërshtimeve të mëdha dhe deklarimeve se ideja për korrigjim të kufijve ka vdekur, ekspertë dhe njohës të zhvillimeve të Ballkanit Perëndimor besojnë se një ide e tillë është duke u endur si një ‘zombie’ që po pret ringjalljen.

Kështu ka thënë në një intervistë për Gazetën Express, amerikani Daniel Serwer, ku ka përmendur edhe emrin e Josep Borell, si një prej emrave që mund ta ringjallë idenë e prekjes së kufijve.

Për herë të parë rreth idesë së korrigjimit të kufijve ishte folur në Forumin e Alpbachut në Austri në gusht të 2018-ës, ku ishin të pranishëm presidenti i Serbisë, Aleksander Vuçiq dhe kreu i shtetit të Kosovës, Hashim Thaçi. Një ngjarje e tillë ishte pasuar me reagime të mëdha, kundërshtim gjerman-britanik e francez, e rezistencë nga i gjithë faktori politik brenda Kosovës.

“Shtete në rajon nuk duhet të jenë të frikësuar nga një marrëveshje e mundshme Kosovë-Serbi edhe në rast se në ajo përfshinë ndryshim kufijsh. Nuk do të jetë një korrigjim bazuar në vija etnike. Kosova do të vazhdojë të jetë një vend multi-etnik dhe do të mbështes të drejtat e minoriteteve “, kishte thënë Thaçi në Alpbach më 25 gusht 2018.

Për të bllokuar negociatat Kosovë-Serbi në të cilat Mogherini kishte lejuar të diskutohej edhe për kufijtë, tashmë ish-kryeministri Ramush Haradinaj, kishte vendosur edhe taksën 100 %, vendim ky i cili po vazhdon të mbajë të bllokuar dialogun për më shumë se një vit.

LITERAL.MEDIA

Lajmet e fundit

Të rekomanduara

Teknologji
Opinione
Take Me Top
Aktualitete Hulumtime Ekonomi Sport Shëndetësi Teknologji Opinione Rozë Kulturë Dossier 1001