Infektuar: 125|Shëruar: 10|Vdekur: 1

Kobain: Varësia nga droga dhe vetëvrasja

Aventura e grupit “Nirvana” u ndërpre më 5 prill 1994, me vetëvrasjen e liderit. Sot, Kurt Cobain është një hartë turistike, një ekspozitë, një hero i muzikëll, një subjekt. 75 milionë albume të shitur në mbarë botën dhe një vetëvrasje në moshën 27-vjeçare.

Ky është boshllëku që përmbledh jetën e Kurt Cobain, këngëtarit dhe kitaristit të grupit “Nirvana”, jeta e të cilit përbëhej veç me paradokse dhe sëmbime (konflikte). Flokë të verdha deri në supe, mjekër e parruar, fytyrë rinore me një shikim përherë të trishtuar, shpesh konsiderohej si mishërimi i njeriut të ftohtë, por Kurtit aq i bënte.

Muzika e shkruar prej tij, frymëzoi breza, performancat e tij legjendare vijojnë të ngjallin emocion, fjalët e tij tingëllojnë edhe sot.

Nga fëmijëria e kaluar në Aberdeen, qyteti i lagësht në Shtetet e Bashkuara, deri në vetëvrasjen e tij në Siatëll, më 1994, Kurt Cobain qe ankoruar në Amerikën e klasës së mesme të viteve ‘80 dhe ‘90 (i George Bush dhe MTV).

Trajektorja e tij ka qenë një vijimësi zhgënjimesh personale, artistike dhe fizike, edhe pse varësia ndaj heroinës, që për herë të parë e mori për të lehtësuar dhimbjet e përsëritura të stomakut, ia shndërroi personalitetin më pak të deshifrueshëm. Historia e dashurisë me Courtney Love, e bëri atë baba. Ajo i ofroi një strehë paqeje, por njëherazi u kthye në pikë tensioni për fansat, rrethin shoqëror dhe përfundimisht për vetveten.

Kurt Cobain (Kurt Donald Cobain) lindi më 20 shkurt 1967 nëAberdeen, Uashington dhe vdiq më 5 prill 1994, Seattle, Uashington). Ai la pas muzikën epokale, që bëri si këngëtar dhe kitarist për “Nirvana”, togje revistash dhe vepra arti… Një vit para se të kryente vetëvrasje, në murin e shtëpisë së marrë me qira në Siatëll, kishte pikturuar me shkronja të mëdha të kuqe: “Asnjë prej jush, nuk ka për t’i mësuar kurrë synimet e mia”.

Cobain pati një fëmijëri përgjithësisht të lumtur, derisa prindërit u divorcuan, kur ai ishte në moshën nëntëvjeçare. Më pas, ai ishte shpesh i trazuar dhe i zemëruar, madje dhimbja e tij shpirtërore u bë subjekt dhe katalizator për pjesën më të madhe të muzikës së tij të mëvonshme. Adoleshencën e kaloi duke u zhvendosur nëpër familjet e të afërmve, duke qëndruar me prindërit e shokëve, hera-herës flinte edhe nën ura, kohë kur filloi të përdorte drogë dhe zuri të bëhej pjesë e vandalizmave si formë e rebelimit të adoleshencës.

Ndaj muzikës, Cobain ishte i prirur që në moshë të re, kurse në mesvitet 1980 filloi të luante ne grupin lokal “Sludge rock”. Në 1987, Cobain dhe Novoselic, formuan grupin “Nirvana” dhe, më pas, filluan të japin shfaqje të vogla në gjithë veriperëndimin. Në shumë mënyra, vdekja e Cobain-it shënoi fundin e lëvizjes “grunge” dhe ishte një ngjarje nënshkrimi për adhurues të shumtë të muzikës së Gjeneratës X. Pas vdekjes, mbeti ikonë e epokës së tij dhe u bë objekt i veprave të shumta postmortum, përfshi edhe librin: “Heavier than Heaven: A Biography of Kurt Cobain” (2001) nga Charles R. Cross, si dhe dokumentarët “Kurt & Courtney” (1998) dhe “Kurt Cobain: Montage of Heck” (2015).

Shpesh dhe me zë të lartë, Cobain deklarohej si aleat i homoseksualëve (grave dhe njerëzve me ngjyrë). Një çerekshekulli më vonë, karriera e tij vijon të magjepsë dhe të frymëzojë. Revista “Rolling Stone” e ka vendosur atë dhe grupin, në vendin e 30-të në listën e “100 artistëve më të mëdhenj të të gjitha kohërave”.

Admirimi i pakufishëm për njeriun e bluzit Leadbelly, kërkimi i vazhdueshëm i melodive: e gjithë jeta e tij u shënua nga një obsesion me muzikën dhe u kthye drejt krijimit të një vepër personale, radikale dhe të mundimshme, që shënohet nga obsesioni me “pop”.

Për të kuptuar Kurt Cobain, duhet të epohemi paksa edhe mbi marrëdhënien e trazuar që ai kishte me suksesin. Fëmijë, ëndërronte të ishte yll roku. Kur u bë yll roku, refuzoi industrinë e disqeve, madje përfundoi duke e urryer albumin “Nervermind”, album që i dha këtë status në 1991. Karriera nxirrte në skenë portretin e një qenieje tejet të ndjeshme, tekstet, miqësitë ose marrëdhënia me publikun ishte një paradoks i vërtetë: ëndërronte fatin e të famshmit, por nuk është i prerë për të qenë i famshëm.

Urrejtja, dëshpërimi, vdekja, brishtësia, përdhunimi, rropullitë dhe dhimbja, do të ishin temat e përsëritura të këngëve, të ditarëve vetjakë dhe vizatimeve të shumta. Ato janë shfaqja e një nevoje të papërmbajtshme për të krijuar dhe shtruar në mënyrë indirekte pyetjen: cili ishte ai zjarr, që Kurt Cobain po përpiqej ta fashiste?

Rokstari Cobain ishte i besueshëm në sytë e adoleshentëve, sepse mesazhet i përçonte duke provokuar, madje arriti deri atje sa para kamerave të puthte një djalë për të armiqësuar fansat që e konsideruan të pështirë gjestin. Kurt, nuk pranonte të shtirej, të bënte përshtypje të mirë apo të ndiqte rregullat që shkonin kundër vlerave të tij. Një herë, doli në skenë veshur me një bluzë spitali, për t’iu kundërvënë thathethemeve të revistave, që nuk reshtnin së gërmuari në jetën e tij private.

I trazuar, i jashtëzakonshëm dhe vetëshkatërrues, Kurt Cobainm konsiderohet një nga muzikantët më të mirë në historinë e rokut dhe “grunge”, për aftësinë muzikore dhe për temat që trajtonte në këngët e tij, që shpesh kanë ndikimin dhe fuqinë e poezive të caktuara. “Nirvana” dhe Kurt Cobain ndikuan dhe vijojnë të ndikojnë edhe sot, muzikantë dhe artistë të shumtë. Cobain është përmendur shpesh, si “poeti i mallkuar”, pasi bëri një jetë jashtë skemave, provokuese, asociale dhe vetëshkatërruese.

LITERAL.MEDIA

Lajmet e fundit

Të rekomanduara

Teknologji
Opinione
Take Me Top
Aktualitete Hulumtime Ekonomi Sport Shëndetësi Teknologji Opinione Rozë Kulturë Dossier 1001