Infektuar: 1048|Shëruar: 801|Vdekur: 30

Kalaja e Harilaqit e restauruar para një dekade vazhdon të shkatërrohet

Shën Flori e Lauri në gjysmën e dytë të shekullit II kishin shkuar në Ulpianë për të ndërtuar një tempull, ku kanë vendosur reliktet e krishtera duke shkatërruar idhujt paganë. Ky veprim kishte irrituar administratën e qytetit, e cila binjakët i kishte torturuar, ekzekutuar. I kishte hedhur në pus. E dy martiriumet në Kalanë e Harilaqit mendohet të jenë ndërtuar për t’i ruajtur reliktet e tyre.

Por gjendja e martiriumeve është e rëndë. Gati 11 vjet pas restaurimit të strukturave të tyre, ato janë në shkatërrim e sipër. Kushtet meteorologjike e vlerësimet se restaurimi nuk ishte i duhuri dalin të jenë arsyet e gjendjes aktuale. Materiali lidhës nuk i ka mbajtur gurët e tullat, përderisa vegjetacioni gati i ka mbuluar. Kalaja llogaritet të jetë një pikë unikate në Ballkan e më gjerë duke pasur parasysh strukturat me destinim specifik. Muri rrethon një sipërfaqe prej 1.3 hektarëve. Janë zbuluar kulla të jashtme dhe të brendshme, objekte profane dhe sakrale. Pjesë e kompleksit është edhe një kishë.

Sipas arkeologut Arben Hajdari, gërmimet arkeologjike në këtë lokalitet të Fushë-Kosovës kishin nisur në vitin 2005. Aktualisht shihet se është bërë goxha punë me strukturat e brendshme e murin rrethues. Por në gjendje aspak të mirë janë martiriumet. Sipas Hajdarit, një restaurim i tyre është bërë në vitin 2009. Për këtë ai ka thënë se ishte më shumë një shkatërrim sesa një restaurim.

Image

“Mund të them se ai nuk ka qenë restaurim por shkatërrim. Duhet të kthehemi edhe një herë tek ato struktura”, ka thënë Hajdari. Vitin e kaluar në këtë lokalitet është punuar shumë pak. Qysh prej vitit 2018, kur janë mbyllur llogaritë e institucioneve vartëse të Ministrisë së Kulturës shkaku se, sipas Zyrës Kombëtare të Auditimit, ishin të paautorizuara nga Thesari i shtetit, Instituti Arkeologjik i Kosovës ka vështirësi në implementimin e projekteve. Sidomos vitin e kaluar janë ndërprerë punët në shumicën e lokaliteteve shkaku i pamundësisë për të bërë pagesat për punonjës e materiale. E sivjet problemeve u është shtuar edhe pandemia që ka paralizuar tërësisht punën e IAK-ut.

“Do të humbë shumë lokaliteti i Harilaqit pasi, pos nevojës për restaurime e konservime, duhet të ketë edhe mirëmbajtje. Shpresoj që të krijohen kushtet e rrethanat që së paku të ketë ndërhyrje emergjente që të konsolidohen në një masë këto struktura që në vitin tjetër të bëhet restaurimi e konservimi i domosdoshëm”, ka thënë Hajdari. Prej pjesës së parë të marsit të këtij viti, kur ishin mbyllur institucionet kulturore edhe parqet si masa për parandalimin e shpërndarjes së koronavirusit, është ndaluar edhe ngjitja e vizitorëve për në Kala.

Drejtori i Institutit Arkeologjik të Kosovës, Enver Rexha, ka thënë se në vitin 2009 restaurimi i martiriumeve është bërë nëpërmjet një projekti që njihet më shumë si restaurim horizontal. Ai ka thënë se për këtë ka pasur edhe kritika.

“Ka pasur edhe çarje, andaj duhet të bëhet edhe një restaurim. Nëse ndërhyhet në restaurim pa u bërë shpalosja apo ndërhyrja vertikale është problem të mirëmbahet. Fatkeqësisht nuk kemi pasur mundësi që ta bëjmë këtë ndërhyrje”, ka thënë ai. Sipas tij, lokalitetet e restauruara duhet të kenë mirëmbajtje të vazhdueshme.

“Nuk ka ‘lëkurë’ që u qëndron kushteve tona meteorologjike, ku gjatë dimrit temperatura shkon në minus 20 gradë e gjatë verës mbi 30 gradë celsius. Asokohe restaurimi ishte bërë nga kompania ‘Arting’ nga Gjakova. Sipas të dhënave, bëhej fjalë për një tender në vlerë prej 74 mijë e 400 eurosh. Projekti ishte përgatitur nga një arkitekt e restauratori nga Shqipëria Reshat Gega.

“Ne kemi qenë kundër tenderit edhe në ato kohëra sa u përket punimeve në fushën arkeologjike. Prej që e kemi marrë ne në dorë, nuk kemi pasur probleme të tilla”, ka thënë Rexha.

Behar Nela, menaxher në kompaninë që ka bërë restaurimin, ka thënë se më e rëndësishme është mirëmbajtja sesa vetë restaurimi. Ka thënë se ka kaluar kohë e gjatë nga ai projekt dhe nuk e di gjendjen aktuale të strukturave të Kalasë.

“Nuk e di si është gjendja. Ne kemi filluar, por pastaj është ndërprerë pas disa ankesave”, ka thënë ai.

Problem më vete sa i përket restaurimit përmes kompanive del të jetë stafi i tyre profesional. Sipas Ligjit për trashëgimi kulturore, veprimet konservuese e restauruese duhet bërë nga persona të licencuar.

LITERAL.MEDIA

Lajmet e fundit

Të rekomanduara

Ekonomi
Hulumtime
Opinione
Take Me Top
Aktualitete Hulumtime Ekonomi Sport Shëndetësi Teknologji Opinione Rozë Kulturë Dossier 1001