Inspektorati i ikën përgjegjësisë, nuk i monitoron kutitë e ankesave në shkolla

Në shkurt të këtij viti, Ministria e Arsimit mori vendim për obligimin e të gjitha shkollave në Republikën e Kosovës që të vendosin kutitë e ankesave në objektet e tyre, shkruan Literal Media.

Këto kuti, vitin e parë u vendos që të monitorohen nga Inspektorati i Ministrisë së Arsimit.

Shkolla e Mesme e Mjekësisë 'Ali Sokoli' në Prishtinë, një kuti të tillë e kishte vendosur shumë kohë para se të merrej vendimi. Përkundër kësaj, nxënësit e kësaj shkolle nuk e shfrytëzojnë dhe aq këtë mundësi për tu ankuar.


'Nxënësve nuk iu bën përshtypje kutia. Preferojnë të flasin direkt me profesorët për çdo ankesë apo vërejtje që kanë. Vitin e kaluar shkollor, në kutinë e ankesave kanë shkruar vetëm dy nxënës ndërkaq këtë vit ende nuk e kemi hapur kutinë'- thotë drejtori i shkollës, Hilmi Ratkoceri për Literal Media.

Situatë e ndryshme është në shkollën tjetër të mesme të kryeqytetit, në Gjimnazin 'Sami Frashëri'. Kutia e vendosur pranë hyrjes kryesore shpesh shërben si vend ku nxënësit 'shfryejnë' mllefin që kanë me profesorët apo stafin e shkollës.


Drejtori i këtij gjimnazi, Fetah Zejnullahu dha më shumë detaje për Literal Media.

'Kutinë e ankesave e kemi vendosur shumë kohë para se të vinte vendimi prej Ministrisë. Ka shkrime të ndryshme por kryesisht janë si rezultat i pakënaqësisë së tyre me notat e marra. Ata shkruajnë për profesorë dhe për mënyrat e notimit apo rregullave strikte që ka shkolla jonë'- tha Zejnullahu.

E si i shohin nxënësit kutitë e ankesave, për Literal Media tregoi një nxënëse maturante e Gjimnazit 'Sami Frashëri'.

'Kutia është ide e mirë, pasi që nxënësit nuk mund të flasin hapur për çdo gjë me profesorët, por ne nuk e dimë se sa mirren parasysh këto ankesa. Nuk di ndonjë rast të veçantë që është zgjidhur si rezultat i një ankese të vendosur në kuti'.

Por kush është përgjegjës për shqyrtimin e këtyre ankesave?

Sipas vendimit të Ministrisë së Arsimit, kutitë e ankesave do të monitoroheshin nga Inspektorati, mirëpo siç duket një gjë e tillë nuk ka ndodhur në shkollën 'Sami Frashëri' e as 'Ali Sokoli'. Drejtorët e shkollave përkatëse, në pyetjen se kush merret me shqyrtimin e ankesave nga kutia, thanë se janë vet ata bashkë me profesorët që i lexojnë ankesat, duke mos përmendur fare monitorimin e Inspektoratit të Ministrisë.

Kujtojmë që Ministria e Arsimit mori vendimin për vendosjen e kutitve të ankesave pas rastit të abuzimit seksual të një miture në Drenas.


LITERAL.MEDIA

Lajmet e fundit

Të rekomanduara

Ekonomi
Teknologji
Hulumtime
Opinione
Take Me Top
Aktualitete Hulumtime Ekonomi Sport Shëndetësi Teknologji Opinione Rozë Kulturë Dossier