Rritet numri i deponive ilegale të mbeturinave

Përkundër investimeve, masave dhe fushatave, trendi i krijimit të deponive ilegale është në rritje nga viti në vit.

Numri i madh i deponive ilegale të mbeturinave vazhdon të jetë një ndër problemet më të mëdha në Kosovë. Këtë e dëshmon edhe raporti i fundit i publikuar nga Agjencia për Mbrojtjen e Mjedisit të Kosovës, me mbështetjen e Organizatës Gjermane për Shoqëri të Hapur – GIZ.

Sipas Raportit ''Menaxhimi i Mbeturinave Komunale në Kosovë'', në vitin 2019 janë identifikuar 2529 deponi ilegale të mbeturinave. Ky numër është për 957 më i madh krahasuar me vitin 2017.

Nga 2529 deponi ilegale që janë identifikuar, sipas vlerësimit, 39% janë deponi të mëdha, 32% janë deponi të mesme, ndërsa 29% janë deponi të vogla.

Sipas llojit të mbeturinave, 49% e deponive ilegale janë nga mbeturinat komunale, 37% janë nga mbeturinate ndërtimit dhe demolimit, 7% janë nga mbeturinate rrezikshme dhe industriale, 4% janë nga mbeturinat e vëllimshme dhe 6% janë nga mbeturinat tjera.

Sipas të dhënave të prezantuara në raport, rajoni i Gjakovës e ka numrin më të vogël të deponive ilegale (118), ndërsa rajoni i Prishtinës e ka numrin më të madh të deponive ilegale (582).

Raporti vlerëson se mesatarja e gjenerimit të mbeturinave komunale për kokë banori në Kosovë është 0.78 kg/banorë/ditë, ndërsa shkalla e mbulueshmërisë me shërbimin e grumbullimit të mbeturinave në nivel të vendit është rreth 71%. Shkalla e ndarjes së mbeturinave në burim mbetet ende në nivel të ulët me vetëm 6.8 % të amvisërive që kanë qasje në këtë shërbim.


Në kuadër të gjetjeve kryesore raporti thekson se numri i deponive ilegale është në rritje nga viti në vit dhe se rritja e shkallës së mbulimit me shërbim dhe se fushatat e pastrimit të deponive ilegale nuk mjaftojnë për të ndalur trendin e krijimit të deponive të reja ilegale.

Brengos fakti se në uljen e numrit të deponive ilegale nuk kanë dhënë rezultate masat e ndërmarra nga Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor e as investimet e donatorëve.

Rikujtojmë se gjatë vitit të kaluar me qëllim të reduktimit të numrit të deponive ilegale, në Kosovë ishte realizuar fushata “Ta pastrojmë Kosovën”, e mbështetur nga Qeveria e Kosovës përmes Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, projekt ky në vlerë rreth 800 mijë euro.

Organizata “Let’s Do It Kosova”, si implementuese e projektit kishte raportuar se gjatë tre muajve të implementimit të projektit (15 shtator 2018 – 15 dhjetor 2018), ishin angazhuar mijëra vullnetarë, dhe ishin larguar 803 deponi ilegale në të gjithë Kosovën.

Në mbështetje të aktiviteteve për eliminimin e deponive ilegale të mbeturinave ishin ndarë edhe grante për komunat më aktive dhe më të suksesshme. Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, bashkë me Agjencinë Gjermane për Bashkëpunim Ndërkombëtar “GIZ” dhe Zyrën e Bashkimit Europian në Kosovë, në fillim të këtij viti kishin lansuar grantin 7 milionësh për menaxhimin e mbeturinave.

“Projekti Granti i Performancës - Mjedisi i Pastër”, ishte lansuar për të përkrahur komunat që tregojnë performancë të mirë sipas kritereve të caktuara, duke u nisur nga zbatimi i legjislacionit në fushën e menaxhimit të mbeturinave, hartimi dhe miratimi i planeve menaxhuese të mbeturinave, zbatimi i udhëzimit për ndëshkime me gjoba mandatore, eliminimi i deponive ilegale të mbeturinave, krijimi dhe mirëmbajtja e zonave të gjelbra, ofrimi i shërbimeve cilësore në fushën e menaxhimit të mbeturinave si dhe mbledhja dhe riciklimi i mbeturinave.

Rezultatet e pritura për të parandaluar krijimin e deponive të reja ilegale nuk dha as fillimi i zbatimi të Udhëzimit Administrative për ndëshkime me gjoba mandatore (UA MMPH Nr. 06/2018).

Organizata “Let’s Do It Kosova” si monitoruese e zbatimit të Udhëzimit Administrativ për Gjoba Mandatore, duke u bazuar në të dhënat e mbledhura nga inspektorët komunal mjedisor dhe qendror, në shtator të këtij viti kishte raportuar se:

“gjatë muajve korrik dhe gusht ishin shqiptuar 310 gjoba gjithsej që shënonte një trend në rritje të shqiptimit të gjobave krahasuar me muajt maj-qershor, me 243 gjoba gjithsej”.

Raporti Menaxhimi i Mbeturinave Komunale në Kosovë, krahas vlerësimeve dhe gjetjeve jep edhe disa rekomandime për përmirësimin e gjendjes së menaxhimit të mbeturinave.

Mes tjerash raporti rekomandon që:

  1. Niveli lokal duhet mbështetur në plotësimin e kapaciteteve teknike për mbulim të gjithë territorit me shërbim të grumbullimit dhe transportit të mbeturinave.
  2. Për të mundësuar zhvillim të balancuar donatorët apo qeveria duhet mbështetur ato komuna apo rajone që janë më mbrapa në realizim të detyrimeve ligjore në menaxhim të mbeturinave.
  3. Duhet komunikim më i shpeshtë dhe me strategji me qytetarët lidhur me detyrimet ligjore të ndotësve, parimeve të vendosura me ligj dhe në veçanti ndotjen e mjedisit e pasojat afatgjata të këtyre veprimeve.
  4. Komunat duhet të mbështeten edhe në procesin e ndarjes së mbeturinave në burim dhe drejt ekonomisë qarkore.

LITERAL.MEDIA

Lajmet e fundit

Të rekomanduara

Ekonomi
Hulumtime
Opinione
Take Me Top
Aktualitete Hulumtime Ekonomi Sport Shëndetësi Teknologji Opinione Rozë Kulturë Dossier 1001