Greta Thunberg, vajza që mori vëmendjen e botës me kauzën e saj për klimën!

Këto ditë në Nju Jork po mbahet Samiti i Kombeve të Bashkuara për Klimën. Ajo që mori vëmendjen kryesore të opinionit botërorë ishte aktivistja e re suedeze e klimës Greta Thunberg. Vajza 16 vjeçare me një fjalim emocionues shpërtheu me akuza para liderëve botërorë për hapat e dështuar që kanë ndjekur në lidhje me klimën.

'Kjo është e gjitha e gabuar. Unë nuk duhet të jem këtu, duhet të jem në shkollë, në anën tjetër të oqeanit. Si guxuat? Ju keni vjedhur fëmijërinë time, ëndrrat e mia, me fjalët tuaja boshe.

Njerëzit po vuajnë. Njerëzit po vdesin. I gjithë ekosistemi po shkatërrohet. Ne jemi në fillimin e një zhdukje masive dhe e gjitha për çfarë ju flisni është një përrallë e rritjes së përjetshme ekonomike. Si guxuat?

Si guxoni të shikoni kaq larg dhe të vini këtu të thoni se keni bërë sa mundët. Ju thoni se na dëgjoni neve dhe se e kuptoni emergjencën, por pa marrë parasysh sesa e trishtuar dhe zemëruar jam, nuk dua ta besoj këtë. Nëse vërtet e kuptoni situatën dhe vazhdoni të mos veproni, kjo tregon se jeni djaj. Dhe unë nuk pranoj ta besoj”, tha Thunberg mes lotëve.


Por kush është Greta Thunberg, dhe si arriti të merr vëmëndjen e botës?

Greta Thunberg lindi më 3 janar të vitit 2003, në Stokholm. Adoleshentja suedeze tërhoqi fillimisht vëmendjen në gusht të vitit 2018, kur braktisi mësimin për të protestuar jashtë parlamentit suedez çdo të premte. Aktivistes, atëherë 15- vjeçare iu bashkua një grup i vogël nxënësish të tjerë në Stokholm, para se fushata të joshte dhjetëra mijëra student në më shumë se 24 vende, ku e premtja u kthye në ditë protestash në shkolla.

Deri në mars të vitit 2019, numri i studentëve që iu bashkuan fushatës së pagëzuar “Të premtet për të ardhmen”, shkoi në më shumë se 2 milionë në rreth 135 vende.

Në gusht të vitit 2019, pas 14- ditësh udhëtim me një mjet pa emetime karboni, Greta mbërriti në Nju Jork për të marrë pjesë në samitin e OKB për klimën. Ndërkaq, numri total i protestuesëve arriti në 3.6 milionë nga 169 vende.

Kur ishte 11 vjeçe, ajo ndaloi së ngrëni për dy muaj të plotë. Kjo është vetëm një nga gjërat që rrëfejnë prindërit e saj në kujtimet për fëmijërinë e saj.

Sipas tyre, shëndeti i saj u rrezikua rëndë, presioni i gjakut dhe pulsi shfaqnin shenja të urisë dhe ajo nuk foli me askënd, përveç prindërve të saj dhe motrës më të vogël Beata.

Fjalimet e Gretës!

Në një fjalim emocional në nëntorin e vitit 2018, Greta tha se kishte dëgjuar për termat “ngrohja globale” dhe “ndryshimi i klimës” kur ishte tetë vjeç.

“Më thanë që të fikja dritat, të kurseja energji dhe kështu të zvogëlojë ndotjen e tokës. Mësova se njerëzit janë fajtorë për ngrohjen globale dhe se ata po ndotin tokën”, kishte thënë Greta.


Në fjalimet e saj ajo vazhdimisht drejton akuza ndaj liderëve botëror duke ju thënë atyre se:

“Derisa njerëzit po vdesin, eu flisni vetëm për para. Ne kemi të gjitha faktet dhe zgjidhjet. Gjithë çfarë duhet të bëjmë është të zgjohemi dhe të bëjmë ndryshime”.

Në një fjalim tjetër të mbajtur në kongresin amerikan ajo u tha ligjvënësve të zgjohen e të dëgjojnë shkencën.

'Është koha për të përballuar realitetin, faktet, shkencën. Dhe shkenca nuk flet kryesisht për “mundësi të mëdha për të krijuar shoqërinë që ne gjithmonë donim”. Ajo tregon për vuajtjet e pashprehura njerëzore, të cilat do të përkeqësohen dhe keqësohen më gjatë se sa të vonojmë veprimin, nëse nuk fillojmë të veprojmë tashti. Po, sigurisht që një botë e transformuar e qëndrueshme do të përfshijë shumë përfitime të reja. Por duhet ta kuptoni. Kjo nuk është kryesisht një mundësi për të krijuar vende të reja të gjelbërta, biznese të reja ose rritje të gjelbër ekonomike. Kjo është mbi të gjitha një emergjencë dhe jo vetëm çdo emergjencë. Kjo është kriza më e madhe që njerëzimi është përballur ndonjëherë.

Dhe ne kemi nevojë ta trajtojmë atë në mënyrë që njerëzit të kuptojnë dhe kuptojnë urgjencën. Sepse nuk mund të zgjidhësh një krizë pa e trajtuar si një të tillë. Stop, duke u thënë njerëzve se gjithçka do të jetë mirë kur në fakt, siç duket tashti, nuk do të jetë shumë mirë. Kjo nuk është diçka që mund ta paketoni dhe shisni ose “pëlqeni” në mediat sociale.

Ndaloni të pretendoni se ju, ideja juaj e biznesit, partia apo plani juaj politik do të zgjidhni gjithçka. Ne duhet të kuptojmë se nuk kemi ende të gjitha zgjidhjet. Larg asaj”, kishte thënë ndër të tjera Greta.

Ajo ka mbajtur fjalime edhe para edhe Parlamentit Evropian dhe Britanik, si dhe në Forumin Ekonomik Botëror në Davos.


Fama e Gretës!

Në saje të aktiviteteve dhe kauzës së saj Greta është kthyer në ikonë të lëvizjes për klimën. Ajo është kandiduar për Çmimin Nobel të Paqes. Është vlerësuar me Çmimin e Normandisë për Lirinë dhe atë të ambasadores së ndërgjegjes nga Amenisty International.Greta, është emëruar një nga 100 njerëzit më me ndikim të vitit nga revista Time.

Ajo mori pjesë në një panel edhe me Sekretarin e Përgjithshëm të OKB, Antonio Gutteres, si dhe me Papa Françeskun.Gjatë vizitës në Shtete të Bashkuara, Thunberg u takua edhe me presidentin amerikan Barak Obama dhe presidenten e përgjithshme të asamblesë së Kombeve të Bashkuara, Maria Fernanda Espinosa.

Kush janë kundërshtarët e Gretës!

Aktivizmi i Greta Thunberg nuk po kalon pa kundërshtarë. Shumë të djathtë dhe media konservatore e kanë sulmuar atë duke deklaruar se ajo ishte manipuluar nga qendrat botërore të pushtetit.

Bëhet fjalë për një ndërthurje të teorive të komplotit, duke stigmatizuar çrregullimet psikiatrike dhe manipulimin e fakteve për ndryshimin e klimës.

Për më tepër, teoricienët e konspiracionit pohojnë se kaq shumë popullaritet mediatik dhe duke i dhënë hapësirë një vajze vetëm e dëmton atë, dhe nuk i kontribuon në asnjë mënyrë shëndetit të saj.

Së fundi kundër saj doli edhe presidenti amerikan Donald Trump. Derisa shumica u mahnitwn nga fjalimi i saj, Trump postoi një deklaratë tallëse ndaj aktivistes 16-vjeçare.

“Duket si një vajzë e re shumë e lumtur që pret një të ardhme të ndritshme dhe të mrekullueshme”, ka shkruar ai.

LITERAL.MEDIA

Lexo po ashtu

Lajmet e fundit

Të rekomanduara

Ekonomi
Opinione
Take Me Top
Aktualitete Hulumtime Ekonomi Sport Shëndetësi Teknologji Opinione Rozë Kulturë Dossier