Ese për Albin Kurtin dhe për të gjithë ne të tjerët

Milazim KRASNIQI

Albin Kurti e ka të hënën ditën D. Si duket as ai vetë nuk e di a do të zgjidhet kryeministër a jo të hënën që vjen. Unë nuk e di a ka dilema në këtë aspekt a nuk ka, a don a nuk don të zgjidhet, meqë veprimet i ka bukur konfuze e kundërthënëse. Gjatë kësaj kohe të negociatave me LDK-në, ka treguar konfuzitet e joseriozitet në raport me LDK-në, po edhe me votuesit e vet.

Përkundër joseriozitetit të treguar, unë sinqerisht kam dëshirë që Albin Kurti të hënën të zgjidhet kryeministër. Pse? Për dy arsye, e para, për kurreshtjen time intelektuale. Zgjedhja e tij do të më mundësonte të shoh konkretisht, atë që nuk e besoj, se a mundet një lider majtist fanatik, që e ka përdorë dhunën brutale si mjet për arritjen e qëllimeve politike, të transofrmohet në një udhëheqës shtetëror demokrat dhe zemërgjerë. Por ky është trill imi egoist, për të cilin nuk do të vëja bast, si thuhet. Dëshira ime e vërtet është që Albin Kurti të zgjidhet kryeministër për një arsye morale dhe humane, thjesht dhe vetëm për hatër të shumiës së rinisë, që e kanë votuar dhe që i kanë varë të gjitha shpresat tek ai. Një numër i madh i të rinjve dhe të rejave shqiptare të Kosovës, vërtet i kanë varë të gjitha shpresat te Kurti si kryeministër. Prandaj, nuk dëshiroj që ata të rinj e ato të reja, të dëshpërohen të hënën.

Nëse ata dëshpërohen edhe kësaj here, meqë janë të brishtë, të papërvojë, me shkollim jo cilësor, që nuk u mundëson gjykim mirëfilli kritik, ata mund të thyhen emocionalisht dhe rrjedhimisht mund të vendosin të arratisen. Ndërsa nëse vazhdon arratisja e rinisë sonë, vendi ynë mund të shndërrohet në fantazmë-vend. Ibrahimi (Rugova) në vitet 90, kur eksodi na e këpuste shpirtin, deri sa të topitur e vëzhgonim duke pi duhan në të vetmen “zonë të çliruar” , në barrakën e Shoqatës së Shkrimtarëve të Kosovës, si vetmevete përsëriste: “Toka pa njerëz nuk vlen asgjë.” Nëse Kurti-kryeministër, do të ndikonte, qoftë dhe vetëm psikologjikisht e përkohësisht, që të ndalej hemorragjia demografike, do ta quaja kryeministër të suksesshëm. Pra, as me këtë rast nuk po e glorifikoj, por as nuk po e paragjykoj. Me këtë rast, i shqetësuar për të ardhmen e vendit, vetëm po them se është rasti i fundit që rinia e vendit tonë të gjejë një motiv, ose një iluzion, që të qëndrojë në Kosovë. Intelektualisht mendoj se është fatkeqësi e kësaj rinie dhe e këtij vendi që ka ardhë në këtë derexhe që të varë shpresat në këtë lider e në këtë parti. Por ka qenë fatkeqësi edhe për ata që i patën varë dhe i varin ende shpresat te disa nga ish komandantët e shndërruar në politikanë. Ky është realiteti ynë i hidhur. Ama, konsideroj se ata që varin shpresa të kota, janë viktima, ata nuk janë fajtorë. Fajtorë janë ata që nuk u kanë ofruar arsimim më të mirë dhe përfaqësim më të mirë.

Në këtë rast fajtore absolute janë elitat intelektuale dhe universitare. Nëse ka dezertorë në këtë vend, dezertorë janë intelektualët dhe sfera akademike. Ne kemi dezertuar, e kemi lënë në baltë këtë popull. Por, tash jemi këtu ku jemi. Sot Kurti është shpresa kryesore e kësaj rinie. Të tjerët, kryesisht e kanë zhgënjyer. Pra, kur po deklarohem në favor të zgjidhjes së tij si kryeministër, po shprej qëndrim human e moral, jo qëndrim politik, aq më pak qëndrim ideologjik. Kur nuk shkruaj letërsi, jam kokëfortësisht realist. E di që jam kështu nga fakti që qëndrimet e mia kurrë nuk u pëlqejnë palëve të përfshira, qofshin edhe miq e familjarë. Më drejtë nuk u pëlqejnë, sepse unë nuk shkruaj për ta. Unë shkruaj vetëm për viktimat e pafajshme të politikës. Po të mos ishte dhimbja për ta, nuk do të humbja kohë duke ndjenjur me këtë diskus therës mbi këtë tastaturë të vjetëruar. (31 janar 2020)
LITERAL.MEDIA

Lexo po ashtu

Lajmet e fundit

Të rekomanduara

Opinione
Take Me Top
Aktualitete Hulumtime Ekonomi Sport Shëndetësi Teknologji Opinione Rozë Kulturë Dossier 1001