Infektuar: 17414|Shëruar: 14868|Vdekur: 660

E arrestuan direkt pas bisedës me Ramiz Alinë: Dëshmia e kolonelit në pension, Dalip Zhabolit

Publikohet per here te pare historia e panjohur e kolonelit në pension, Dalip Zhaboli, i konsideruar si një nga oficerët më të përgatitur të Ushtrisë Shqiptare pas atyre të brezit të Luftës që ishin diplomuar në akademitë e Bashkimit Sovjetik, i cili në vitin 1976 kur shërbente në detyrën e komandantit të Korpusit Ushtarak të Pukës, pas një bisede që kishte bërë me Ramiz Alinë lidhur me rolin e komisarëve në Ushtri, u arrestua me akuza të ndryshme dhe u dënua me 15 vjet burg politik.

Çfarë thuhet në dokumentin arkivor ku ish-zv/Prokurori i Përgjithshëm i Republikës, Sotir Samara, njofton zv/ministrin e Mbrotjes mbi “veprimtarinë armiqësore” të Zhabolit dhe “grupit të tij” i përbërë nga: Ilirjan Hitaj, Diogjen Nako, Sali Çako e Lefter Qirici, dhe si e komenton vetë ai në intervistën e tij ekskluzive që po publikojmë në këtë shkrim.

“I dënuari Dalip Zhaboli ka zhvilluar veprimtarinë armiqësore në forma nga më të ndryshmet, me pikësynim që të çoroditi pikpamjet e drejta politike, ideologjike, ushtarake etj., të efektivit të Repartit 5900 Peshkopi ku ishte komandant brigade. U provua, se shumë herë u është kundërvënë hapur vendimeve të rëndësishme të pleniumeve të IV-të, V-të, VI-të e VII-të të KQ të Partisë, duke agjituar e propaganduar kundër rolit udhëheqës të Partisë në ushtri; uljes së rëndësisë së detyrave të sekretarit të Partisë dhe komisarit politik dhe hyjnizimit të rolit dhe detyrave të komandantit si në kohë lufte, ashtu dhe në kohë paqjeje”.

Kështu thuhet ndërmjet të tjerash në një informacion të zv/prokurorit të përgjithshëm të Republikës, Sotir Samara, dërguar zv/ministrit të Mbrojtjes Llambi Gegëprifti, i cili mban datën 17 nëntor 1976 dhe që bën fjalë mbi dënimin që iu bë në atë kohë, si “armik i popullit”, komandantit të Korpusit të Pukës, Dalip Zhabolit. Po çfarë thuhet më tej në atë informacion të zv/prokurorit të përgjithshëm për ushtarakun e lartë që komandonte Korpusin e Veriut të Shqipërisë dhe çfarë akuzash bëhen aty në drejtim të tij? Cila ishte biseda që bëri Zhaboli me Ramiz Alinë në dhomën e rezervuar të Shtëpisë së Oficerëve të Korpusit të Burrelit në vitin 1975 dhe përse ajo bisedë i përmendej shpesh gjatë procesit hetimor pas arrestimit të tij? Lidhur me këto e të tjera rreth kësaj çështjeje, na njeh dokumenti arkivor dhe vetë dëshmia e zotit Zhaboli, i cili rrëfen ekskluzivisht për Memorie.al, në këtë shkrim.


Karriera ushtarake brilante e Zhabolit



Dalip Zhaboli u lind në 5 mars 1942 në Martanesh të Matit dhe u rrit në Shtëpinë e Fëmijës në Durrës. Në vitin 1957 ai mbaroi Shkollën e Bashkuar të Oficerëve “Enver Hoxha” (në degën gjithëarmësh), dhe u emërua në një repart të Tiranës e më pas në Peshkopi. Nga viti 1965 deri në ’68-ën, ai studioi në Akademinë Ushtarake “Mehmet Shehu” në Tiranë, duke e përfunduar atë me rezultate të shkëlqyera dhe në vitin 1970 (në moshën 28-vjeçare), Dalip Zhaboli u emërua shef i Degës Operative dhe njëkohësisht zv / shef shtabi në Korpusin e Burrelit. Ndërsa në vitin 1974, ai u emërua komandant i Korpusit të Pukës, i njohur ndryshe dhe si “Korpusi i Veriut”, (që presupozohej të ishte barriera e parë ndaj një sulmi eventual nga ish-Jugosllavia e asaj kohe), gjë e cila do të shënonte dhe kulmin e karrierës ushtarake të Zhabolit, pasi pas tre vjetësh në atë detyrë tepër të rëndësishme, në janarin e ‘76-ës ai u arrestua për motive politike me akuzën “sabotim i vijës politike në ushtri”, duke u dënuar me 15 vjet burg. Nga ai dënim i dhënë nga Kolegji Ushtarak i Gjykatës së Lartë në Tiranë, Zhaboli vuajti vetëm 11 vjet e gjysmë burg, duke përfituar uljen e pjesës tjetër të dënimit me punë dhe amnistitë e ndryshme që u dhanë asokohe. Pas daljes nga burgu në fund të vitit 1987, ai punoi si punëtor në poçerinë e Kavajës dhe pas fillimit të proceseve demokratike, në ’91-in, rikthehet në Ministrinë e Mbrojtjes si komandant divizioni dhe brigade, duke e mbyllur karrierën e tij ushtarake në vitin 1998 si drejtor i përgjithshëm i Administratës së Burgjeve të Shqipërisë, me gradën e kolonelit.

Kjo është pak a shumë biografia e shkurtër e kolonelit në pension, Dalip Zhaboli, i cili deri para arrestimit në vitin 1976, konsiderohej nga të gjithë si një nga ushtarakët më të përgatitur të Ushtrisë Shqiptare (pas disa gjeneralëve që ishin diplomuar në akademitë e Bashkimit Sovjetik), i cilësuar si i tillë nga vetë kryeministri dhe ministri i Mbrojtjes i asaj kohe, Mehmet Shehu. Goditja dhe dënimi i Zhabolit shënoi edhe fundin e “Fshesës së hekurt në Ushtri” e cila kishte filluar menjëherë pas goditjes dhe dënimit të ashtuquajturit “Grupi puçist i Beqir Ballukut”. Pas kësaj, Zhaboli vuajti një pjesë tëmadhe të dënimit në Kampin-burg të Qafë-Barit, ku në vitin 1984 ai morri pjesë në atë ngjarje që tashmë ëshmë e njohur si “Revolta e Qafë-Barit”, ku regjimi komunist në shënjë hakmarrje pushkatoi dy nga protagonistët e saj, Tom Ndojën dhe Sokol Sokolin, ndërsa Sandër Sokoli, (i diplomuar në armën e Aviacionit në Bashkimin Sovjetik, nipi i gjeneral-leitnant, Sadik Bekteshit), ju vdiq në tortura pa dalë e dërguar ende në qelitë e Degës së Punëve të Brendëshme të Pukës.

Sipas disa dokumenteve arkivore lidhur me atë ngjarje që ka botuar edhe Memorie.al para disa kohësh, në raportin e Komandës së Kampit dhe Degës së Brendëshme të Pukës, dërguar Ministrisë së Brendëshme lidhur me atë ngjarje, mes të tjerash bëhet e ditur se: “Të dënuarit Dalip Zhaboli dhe Hajredin Fratari, nxitën të dënuarit e tjerë në shpërthimin e revoltës…”. Dhe si rezultat, Zhaboli dhe Fratari ishin dy nga shumë të dënuarit që u torturuan në mënyrë çnjerzore nga forcat policore dhe ushtarake që shtypën atë revoltë. Menjëherë pas saj, Zhaboli u dërgua në burgun e Zejmenit ku u torturua përsëri dhe në prezencë të Drejtorit të Sigurimit të Shtetit, Zylyftar Ramizi, i cili i vuri përpara një listë me emra nga protagonistët e revoltës, duke i kërkuar që ta firmoste, në kërkim të lirimit menjeherë nga burgu. Gjë të cilën Zhaboli s’e pranoi dhe ndaj tij vazhduan torturat. Ndërsa këto gjëra tashmë janë të njohur edhe nga dokumentari “Revolta e përgjakur e Qafë-Barit” realizuar nga Radio Televizioni Publik Shqiptar me mbështetjen e Zyrës së prezencës së OSBE-së në Shqipëri, ku përveç Zhabolit kanë dëshmuar edhe bashkëvuajtësit e tij, protagonisë të asaj revolte, si: Bajram Vuthi, Hajredin Fratari, Haxhi Baxhinovski, Lekë Frroku, Bedri Blloshmi, Agim Hoxha, Kostandin Gjordeni, Pjetër Luli, etj., në këtë shkrim po publikojmë dokumentin e zv/Prokurorit të Përgjithshëm të Republikës, Sotir Samara, mbi akuzat ndaj Zhabolit si dhe intervistën e tij (Dalipit), ekskluzive për Memorie.al.

Zv / Prokurori i Përgjithshëm: “Ja veprimtaria armiqësore e ish-komandantit Dalip Zhaboli”

Në letrën e zv/Prokurorit të Përgjithshëm të Republikës, Sotir Samara, e adresuar për zv/ministrin e Mbrojtjes Llambi Gegëprifti, e cila është nxjerrë nga arkivat e shtetit (Arkivi i F.A., Dosja 222, Viti 1976), që titullohet: “Informacion mbi disa probleme që dolën gjatë gjykimit të ish-komandantit të Korpusit në Pukë Dalip Zhaboli dhe të civilit Skënder Shatku”, shkruhet: “Nga data 15 deri në datën 17 Tetor 1976 në Tiranë u zhvillua gjykimi i të pandehurve: Dalip Zhaboli dhe Skënder Shatku dhe u dënua i pari, me 15 vjet heqje të lirisë për agjitacion e propagandë kundër pushtetit popullor, përhapje të informatave që përbëjnë sekret shtetëror dhe shpërdorim të pozitës zyrtare; i dyti, me 25 vjet heqje të lirisë për tradhëti ndaj Atdheut me anë spiunazhi dhe agjitacion e propagandë kundër pushtetit popullor. Veprimtarinë armiqësore e kishin filluar që në vitin 1970 dhe e vazhduan në përpjestime gjithnjë e më të mëdha deri para arrestimit, Dalipi më 24.1.1976 dhe Skënderi më 28.9.1975. I dënuari Dalip Zhaboli ka zhvilluar veprimtarinë armiqësore në forma nga më të ndryshmet me pikësynim që të çoroditi pikëpamjet e drejta politike, ideologjike, ushtarake etj. të efektivit të repartit 5900 Peshkopi ku ishte komandant brigade.

U provua, se shumë herë u është kundërvënë hapur vendimeve të rëndësishme të pleniumeve të IV-të, V-të, VI-të e VII-të të KQ të Partisë duke agjituar e propaganduar kundër rolit udhëheqës të Partisë në ushtri; uljes së rëndësisë së detyrave të sekretarit të Partisë dhe komisarit politik dhe hyjnizimit të rolit dhe detyrave të komandantit si në kohë lufte ashtu dhe në kohë paqjeje, kundër tezave të Artit Ushtarak Popullor për forcat vullnetare dhe forcat sulmuese, kundër masave për zhdukjen e dallimeve ndërmjet kuadrove dhe ushtarëve etj. Të gjitha këto i kanë shërbyer armikut Skënder Shatku, i cili i ka shfrytëzuar për interesat dhe qëllimet e tij. Ai kishte realizuar detyrat e ngarkuara nga UDB-ja Jugosllave duke agjituar e propaganduar kundër vendimeve të fundit të Partisë të përmendura më sipër, duke bërë krahasime sipas dëshirës së vet e duke propaganduar mbi gjoja superioritetin ekonomik e ushtarak të Jugosllavisë, me qëllim që të korruptonte oficerat e repartit të sipërpërmendur ku ishte rezervist e t’i fuste ata në veprimtari armiqësore etj. Këta, megjithëse nuk i lidhte asgjë me armikun, ishin futur në veprimtarinë armiqësore për shkak të infektimit nga ideologjia borgjeze-revizioniste, e cila i çoi pastaj në degjenerimin e thellë moral, e më në fund në tradhëti ndaj Atdheut. Nga zhvillimi i gjykimit dolën disa probleme, ndërmjet të tjerave mendojmë se janë edhe këto:

1) Me kuadrot nuk punohej sa duhet për edukimin e tyre me mësimet e Partisë dhe veprat e shokut Enver dhe nuk tregohej kujdes i nevojshëm për jetën dhe aktivitetin e tyre, si gjatë kohës së punës ashtu dhe në kohën e lirë, veçanërisht për oficerët e rinj të ardhur nga bangot e shkollës, të pamartuarit etj. Këto dobësi të punës së partisë dhe komandës së repartit në një masë kishin dobësuar luftën kundër ideologjisë borgjeze e revizioniste. Kështu, disa nga kuadrot e reja, sidomos nga ata që banonin në hotelin e oficerave, ndiqnin emisionet e televizionit dhe radios se stacioneve të huaja, të imitojnë në veshje e flokë modën e huaj, kishin filluar të bënin një jetë të çthurur duke pirë, luajtur bixhoz etj.

2) Transferimi i kuadrove në reparte dhe nënreparte të dislokuara në vende të thella nuk është shoqëruar gjithnjë me një punë të kujdesshme dhe të diferencuar ideopolitike, si një masë e rëndësishme e marrë nga Partia dhe Komanda si për ata që kanë pasur të meta në punë, ashtu dhe në rast kur janë emëruar fillimisht, me qëllim që ata të mobilizoheshin në realizimin e detyrave dhe, ata që kishin gabuar, për të përmirësuar të metat e dobësitë. Kjo ka ndikuar keq në disa kuadro si p. sh. Diogjen Nako, Lefter Qirici etj., dhe t’u krijohen koncepte të gabuara në lidhje me shkaqet dhe qëllimin e transferimit të tyre në repartin 5900, të cilët e kishin konsideruar transferimin e tyre vetëm si dënim dhe për të qëndruar përfundimisht atje pa asnjë perspektivë për të lëvizur në ndonjë vend tjetër.

3) Komanda e repartit nuk e vlerësonte si duhet luftën e klasave. Ishte lejuar që rezervistë me përbërje të keqe politike të vendoseshin në organikë dhe të kryenin detyra me përgjegjësi si p.sh. të top llogaritësit e planshtetistit siç ishte caktuar Skënder Shatku. Po kështu, ishin pranuar dhe marrë në punë njerëz që nuk kishin kushtet e nevojshme dhe garancitë politike, si për shembull është marrë në detyrën e magazinierit në një nënrepart një person me përbërje të keqe politike, në kundërshtim me rregullat, me urdhër të ish komandantit të brigadës Dalip Zhaboli; ishte pranuar në punë armiku Sabri Llame (i cili u dënua kohët e fundit për tradhëti ndaj Atdheut si agjent i zbulimit jugosllav) dhe ishte lejuar që të flerë dhe hajë ushqim bashkë me ushtarët në vendkomandën luftarake të brigadës për 2 muaj rrjesht etj. Analiza në tërësi e problemeve që dolën tregon se shkaqet më kryesore që kanë ndikuar në zhvillimin e veprimtarisë armiqësore në atë repart ushtarak, qëndrojnë në dobësitë e theksuara të punës ideopolitike për edukimin e kuadrove, moszhvillimin si duhet të luftës së klasave dhe vigjilencën e ulët revolucionare për zbulimin dhe demaskimin e veprimtarisë armiqësore. Në mënyrë të veçantë, në këto drejtime, ka ndikuar puna e dobët dhe mungesa e vigjilencës e ish sekretarit të Komitetit të Partisë dhe komisarit të repartit Qebir Hysi, i cili nuk kishte kryer si duhet detyrën e tij. Në shumë raste ai kishte qenë i pranishëm në bisedat armiqësore që bënte armiku Dalip Zhaboli për rolin e komandantit, të komisarit të forcave vullnetare e sulmuese etj. dhe jo vetëm që nuk kishte mbajtur qëndrim për të demaskuar dhe për ta vënë në dijeni Partinë për veprimtarinë e tij armiqësore, por në ndonjë rast ka miratuar pikëpamjet armiqësore të tij si p.sh. Ilirjan Hitaj, Diogjen Nako, Sali Çako e Lefter Qirici, të cilët u dënuan kohët e fundit për agjitacion e propagandë kundër pushtetit popullor. Për problemet e ndryshme ligjore më mirë duhej të ishte punuar dhe nga organet e prokurorisë. Në të ardhmen do të vlerësohet më shumë puna për popullarizimin e ligjeve dhe zbatimin e ligjshmërisë në atë repart ushtarak. Menduam t’u vëmë në dijeni për këto probleme që dolën nga gjykimi, pasi mund të vlejnë për të forcuar më tepër masat që janë marrë nga Partia”.

Zoti Zhaboli, si qëndron e vërteta e këtij dokumenti që disponon Memorie.al, ku zv/prokurori i përgjithshëm i Republikës, informon zv/ministrin e Mbrojtjes Llambi Gegëprifti lidhur me problemet që dolën gjatë gjykimit tuaj si ish-komandant i Korpusit të Pukës në vitin 1976?

E vërteta rreth dënimit tim nuk është aq e thjeshtë sa është shkruar në atë informacion. Kushdo që do ta lexojë atë, mund ta nxjerrë fare lehtë konkluzionin se nuk mund të dënohet me 15 vjet burg një njeri për ato faje që paraqiten aty.

Para se të na thoni se cilat ishin shkaqet e vërteta të dënimit tuaj, a mund të na përshkruani rrjedhën kronologjike se si erdhi dënimi juaj?

Gjatë periudhës që unë isha komandant i brigadës së 18-të në qytetin e Peshkopisë, deri në vitin 1974, disa vartës të mi, oficerë të rinj, si Ilirjan Hitaj, Dhiogjen Nako, Sali Çako dhe Lefter Qirici ishin vënë nën vëzhgimin e rreptë të organeve të Sigurimit të Shtetit, me tendencë për t’i dënuar për faje politike. Kjo kohë koincidonte dhe me orientimin që kishte dhënë Enver Hoxha për “fshesën e hekurt në ushtri” pas dënimit të “grupit” të Beqir Ballukut.

Përse pikërisht ata oficerë që përmendët ju, ishin vënë në shënjestër të Sigurimit?

Ata ishin djem të rinj që sapo kishin mbaruar shkollat, lexonin libra, ndiqnin programet televizive të stacioneve të huaja, ndiqnin modën, ironizonin teprimet e drejtuesve të Partisë dhe gjithashtu flisnin me njëri-tjetrin për pakënaqësitë që kishin. Po kështu, krahas këtyre, ata shprehnin pakënaqësitë për dënimin që u ishte bërë me burg politik një shokut të tyre oficer në qytetin e Shkodrës, i quajtur Rustem Tabaku. Për të gjitha këto ata ishin vënë në shënjestër të Sigurimit të Shtetit, i cili i ndiqte kudo dhe duke i provokuar me mënyra të ndryshme. Një nga ato provokime ishte dërgimi i Ilirjan Hitajt gjoja me shërbim në Shkodër, për ta parë se me kë do takohej dhe çfarë do bisedonte. Në kohën që Sigurimi po përgatiste arrestimin e tyre, unë thirra Ilirjan Hitajn dhe indirekt e porosita që të mos binte pre e provokimeve të Sigurimit. Por porosia ime nuk pati ndonjë ndikim, pasi Sigurimi e realizoi synimin e tij dhe i arrestoi ata. Pas arrestimit të tyre, filloi të më ngushtohej laku edhe mua, duke më bërë fajtor se ”përse i kisha përkrahur ata oficerë dhe nuk i kisha goditur ashtu siç na mësonte Partia”, gjë që solli dhe arrestimin tim në janarin e 1976-s. Pra, me pak fjalë, ky ishte preteksti apo ana e dukshme që u gjet për dënimin tim, por në të vërtetë arsyet ishin të tjera.

A mund të na thoni më konkretisht se cilat ishin arsyet e vërteta të dënimit tuaj?

Para arrestimit tim, diku aty nga fundi i vitit 1975, kur unë shërbeja si komandant i Korpusit të Pukës, mora pjesë në Aktivin e Partisë të Korpusit të Burrelit, pasi aty kisha bërë jetën e Partisë. Diskutimi im në atë aktiv, ku ishte i deleguar Sekretari i KQ të PPSH-së Ramiz Alia, u ndërpre disa herë nga duartrokitjet, ndonëse në asnjë rast unë nuk përmendja me emër Beqir Ballukun, Petrit Dumen, Hito Çakon apo ndonjë tjetër. Të jemi të sinqertë, në diskutimin që mbajta aty unë jo se kisha dalë nga kornizat e kohës, por emrat e tyre nuk i përmenda asnjëherë, pasi as Beqiri, as Petriti, as Hitoja nuk na kishin thënë që të mos bënim stërvitje, apo ndonjë akuzë tjetër që u bëhej atyre. Pas mbledhjes, mua më thirri Ramiz Alia në dhomën e rezervuar, ku ishin gjithashtu dhe Muharrem Muça e Nuredin Dushani, komandanti e komisari i Korpusit të Burrelit. Pasi më bëri shumë komplimente dhe më pyeti rreth kontradiktave të shumta që kishin në atë kohë komisarët me komandantët në ushtri dhe unë u dhashë përgjigjen time se ajo gjë nuk ishte përgjithësuese, por sporadike, Ramizi më tha: ‘Tani Partia ka vendosur të shtojë edhe rolin e sekretarit të komitetit të Partisë në ushtri. Më thuaj burri i burrit se ç’mendon ti për këtë gjë.

Si iu përgjigjët ju?

Unë i thashë atë që mendoja me të vërtetë, pa doreza, duke iu shprehur tekstualisht kështu: ‘Me këtë gjë do të zbehet roli i komisarit, i cili do të mbetet një propagandues i thjeshtë’. Pas përgjigjes sime, Ramizi qeshi nën zë dhe nuk foli fare. Por kjo bisedë që bëra vetëm për vetëm me Ramiz Alinë, më përmendej shpesh gjatë hetuesisë kur u arrestova pas një viti.

Si konkretisht?

M’i përmendnin të gjitha fjalët që ia kisha thënë Ramizit, natyrisht pa e nxjerrë emrin e tij, dhe më thoshin se me të tilla mendime kisha sabotuar vijën politike të Partisë në ushtri. Kjo gjë më doli dhe në gjyq, ku dëshmitari kryesor, H. Isufi, (sekretar i Komitetit të Partisë të Brigadës së Peshkopisë, pasi të tjerët ishin garniturë) ndër të tjera tha: “Dalip Zhaboli i është kundërvënë vijës së Partisë në ushtri, duke i emëruar kuadrot e paaftë në linjën e Partisë, kurse ata të aftët në atë të komandimit.

A qëndronte kjo akuzë?

Me thënë të drejtën, ka pasur raste kur ne talleshim me komisarët apo sekretarët e Partisë, pasi ata në përgjithësi ishin njerëzit më të paaftë që kishte ushtria.

LITERAL.MEDIA

Lajmet e fundit

Të rekomanduara

Opinione
Take Me Top
Aktualitete Hulumtime Ekonomi Sport Shëndetësi Teknologji Opinione Rozë Kulturë Dossier 1001