5 dekada UP, mbahet Java e Universitetit

Universiteti i Prishtinës “Hasan Prishtina” është institucioni më i madh i arsimit të lartë në Kosovë, i cili që nga themelimi i tij është shndërruar në forcën kryesore të shoqërisë kosovare për edukim dhe zhvillim, shkruan Literal Media.

Me 15 shkurt bëhen 5 dekada të plota qysh nga hapja e Universitetit të Prishtinës 'Hasan Prishtina'. Universiteti i Prishtinës përfaqëson vlerat kombëtare, qëndresën dhe fuqinë studentore, vetë historinë e ekzistencës së vendit dhe popullit. E kaluara dhe e ardhmja e Kosovës lidhen me këtë institucion.

Në vazhdim Literal Media iu sjell një historik të shkurtër nga krijimi i institucionit më të lartë arsimor në vend.

Universiteti i Prishtinës është themeluar me Ligjin mbi Themelimin e Universitetit të Prishtinës, të cilin e miratoi Kuvendi i Krahinës Socialiste të Kosovës, më 18 nëntor 1969. Themelimi i Universitetit të Prishtinës ishte ngjarje historike për popullin e Kosovës, si edhe për mbarë kombin shqiptar.

Kuvendi themelues i Universitetit të Prishtinës u mbajt më 13 shkurt 1970, kurse dy ditë më vonë, më 15 shkurt 1970, u mbajt edhe mbledhja solemne e Kuvendit dhe pikërisht kjo datë u shpall Dita e Universitetit të Prishtinës.

Në përbërje të Universitetit të Prishtinës të posathemeluar ishin këto fakultete me seli në Prishtinë: Fakulteti Filozofik, Fakulteti Juridiko-Ekonomik, Fakulteti Teknik dhe Fakulteti i Mjekësisë.

Tani Universiteti i Prishtinës i ka 17 fakultete, nga të cilat 14 janë fakultete akademike, ndërsa 3 janë fakultete të shkencave të aplikuara. Ndërkaq, me hyrjen në fuqi të Statutit të Universitetit, më 9 korrik 2004, të drejtat dhe përgjegjësitë e studentëve dhe të personelit të Fakultetit të Mësuesisë dhe të shkollave të larta pedagogjike u bartën në Fakultetin e Edukimit.

Meqenëse tani po bëhen 50 vite qysh nga krijimi, UP me 10 shkurt ka nisur javën e Universitetit agjenda e së cilës është e mbushur me aktivitete, shkruan Literal Media.

Dialog mes brezash ishte aktiviteti i parë i cili u mbajt dhe ish-studentë të këtij institucioni rrëfyen përvojat e tyre si studentë të Universitetit të Prishtinës.

Një ndër folëset ishte Bleona Kurteshi e cila foli për përjetimet e ish-studentëve të UP-së rreth asaj se si ka qenë të jesh student i këtij universiteti.

“Në bazë të të dhënave që i kemi mbledhë nga respodentët, me qenë student dhe profesor i UP-së në vitet e ’70-ta ka nënkuptu krenari, kënaqësi dhe prestigj. Një ish – student ka thënë se ka qenë ndjenjë e tillë si me qenë president”, tha Bleona.

Ndërkohë që sot (e martë) u mbajt aktiviteti i rradhës, koncert me studentët e Fakultetit të Arteve.

Para audiencës së koncertit, fjalën e mori edhe Marjan Dema, rektor i Universitetit të Prishtinës.


'Ky është aktiviteti i dytë i studentëve, aktivitet në ditën që po shënon nisjen e Javës së Universitetit dhe kjo nuk është bërë rastësisht. Me kete koncert, dëshirojmë te përçojmë festën tek te gjithë ju ne kete jubile te rëndësishëm per vendin”, tha rektori Dema.

Aktivitetet e parapara pritet të vazhdojnë ditëve në vijim deri me 15 shkurt, ku në Emerald do të mbahet Manifestimi Qendror.


Shkruan: Literal Media


LITERAL.MEDIA

Lexo po ashtu

Lajmet e fundit

Të rekomanduara

Opinione
Take Me Top
Aktualitete Hulumtime Ekonomi Sport Shëndetësi Teknologji Opinione Rozë Kulturë Dossier 1001