250 euro për një foshnje, rritet numri i lindjeve në QKMF-në e Suharekës

Përkundër faktit që në QKMF, dega në Suharekë, ekziston një staf adekuat për kryerjen e lindjeve normale, numri i kërkesave për një gjë të tillë ka qenë i vogël dhe shqetësues.

Për këtë arsye, në shkurt të këtij viti, Komuna e Suharekës ka vendosur t'i stimulojë nënat që lindin në këtë qytet duke e shpërblyer secilën lindje me 250 euro. Vendimi vlen vetëm për ato nëna që lindjen e kryejnë në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare, pa marrë parasysh se nga vijnë, shkruan Literal Media.

Tash, nëntë muaj pas fuqizimit të vendimit, duket se situata në QKMF ka ndryshuar.

Literal Media ka kontaktuar me Drejtorin e QKMF-së në Suharekë, z. Salih Bytyqin i cili tregoi efektet e vendimit të Komunës:

"Situata ka ndryshuar, numri i lindjeve që kryhen në QKMF është rritur pas vendimit të Komunës për shpërblimin prej 250 eurove për secilën lindje."

Më shumë detaje për Literal Media dha Drejtoresha e Shëndetësisë në Komunën e Suharekës, zonja Salë Bytyqi. Ajo tregoi që menjëherë pas marrjes së këtij vendimi nga Komuna, është vërejtur një rritje e kërkesave për të lindur në QKMF.

"Që nga fillimi i vitit e deri tash më 25 nëntor, në QKMF janë kryer gjithsejt 44 lindje. Numri pritet të rritet ngase nga përvoja e viteve të kaluara, në muajin dhjetor rëndom lindin shumë gra. Sipas statistikave i bie që numri i lindjeve është rritur pasi që në komplet vitin 2018 kanë qenë gjithsejt 43 lindje, e tash pa e llogaritur dhjetorin ky numër tashmë është tejkaluar"- tha Bytyqi.

Drejtoresha Bytyqi tregoi edhe për shumën e parave që iu janë dhënë nënave deri tash.

"Deri tani, 38 gra i kanë marrë nga 250 euro, ndërkohë që kanë aplikuar dhe janë në pritje edhe tri tjera. Prej tyre, tri gra kanë qenë nga Komuna e Malishevës, por që për arsye të ndryshme kanë zgjedhur QKMF-në e Suharekës për të lindur fëmijët"- shtoi Bytyqi.

Kushtet në QKMF-në e Suharekës janë mjaftueshëm të mira për të kryer lindjet normale dhe stafi është i kompletuar sipas Drejtoreshës Bytyqi.

"Kemi dy gjinekologë dhe nëntë mami të ndarë në dy ndërrime. Janë dy dhoma të lindjes dhe dy të tjera me gjithsejt pesë shtretër për pushimin e nënave pas lindjes që krijojnë kushte të përshtatshme dhe nënat janë ndarë të kënaqura me kujdesin dhe çdo gjë tjetër"- tha Salë Bytyqi.

QKMF ka aplikuar edhe për një donacion japonez që të rritet numri i shtretërve dhe të përmisohen edhe më shumë kushtet mirëpo ende nuk ka marrë përgjigje përfundimtare.


Shkruan: Bardha Kololli

LITERAL.MEDIA

Lajmet e fundit

Të rekomanduara

Ekonomi
Hulumtime
Opinione
Take Me Top
Aktualitete Hulumtime Ekonomi Sport Shëndetësi Teknologji Opinione Rozë Kulturë Dossier 1001