Infektuar: 1048|Shëruar: 801|Vdekur: 30

“Mural Festi” në Ferizaj lë shenjë me art në kohë pandemie

Vajza me maskë në fytyrë është në qendër të muralit, i cili këto ditë po merr formë në qendër të Ferizajt. Në njërën dorë ka një arushë lodër, që po ashtu bart maskë, e në tjetrën fletoren. Fletorja zbërthen mesazhin kryesor të muralit. Shfaq emocionet e vajzës. Aty është vizatuar një shkollë dhe dy shoqe të kapura për dore. Dielli është i mërzitur dhe mbi të është shkruar “Më mungon shkolla”.

Këto elemente së bashku theksojnë rëndësinë e të kuptuarit se çfarë po ndiejnë fëmijët gjatë kësaj kohe të pandemisë, dhe në të njëjtën kohë thekson kujdesin që duhet treguar ndaj tyre. Qëllimi është që murali – që po transformon një mur “Te nënkalimi” në qendër të Ferizajt – të jetë i përfunduar më 1 qershor, në Ditën Ndërkombëtare të Fëmijëve.

Por kjo është vetëm një pjesë e rrëfimit që fshihet prapa muralit që po realizohet nga artistet Lebibe Topalli, Pranvera Sylejmani dhe Drilona Murseli. I nisur në fillim të javës, vjen si paralajmërim për planet e mbajtjes së edicionit të pestë të festivalit “Mural Fest”. Organizatorët e Festivalit shpresojnë që edicioni i sivjetmë të mbahet në shtator. Sipas tyre, njëkohësisht murali shpërfaq objektivin kryesor të Festivalit – t’u japë jetë mureve.

Drejtoresha e festivalit “Mural Fest”, Lebibe Topalli, ka thënë se duke parë se situata me COVID-19 është një ngjarje e veçantë, e që pa dyshim do të mbetet në histori, kanë menduar që të fillojnë realizimin e këtij murali që shpërfaq një pjesë të kësaj pandemie. Ka treguar se janë duke i shikuar opsionet që në të ardhmen e afërt të vazhdojnë edhe me punime të tjera.

“Iniciativa është vullnetare, mbështetje nuk kemi kërkuar dhe nuk kemi për momentin, përveç lejes për fillimin e punimeve, por shpresojmë që së shpejti Drejtoria e Kulturës në Ferizaj të na përkrahë për këtë projekt, sepse ne si ‘Mural Fest’ nuk jemi të interesuar ta anulojmë Festivalin, në fakt veçse filluam të punojmë pakëz”, ka thënë ajo. Në mendje për këtë edicion i kanë artistët e vendit, për shkak të masave të ndërmarra për parandalimin e virusit COVID-19. E nëse krijohen mundësi për të sjellë edhe artistë ndërkombëtarë, ka thënë se ata nuk do të mungojnë.

Sipas Topallit, kur muralet realizohen në hapësira publike, shtohet edhe përgjegjësia. Por njëkohësisht ka theksuar se janë me fat artistët që artin e tyre e shfaqin në rrugë.

LITERAL.MEDIA

Lajmet e fundit

Të rekomanduara

Ekonomi
Hulumtime
Opinione
Take Me Top
Aktualitete Hulumtime Ekonomi Sport Shëndetësi Teknologji Opinione Rozë Kulturë Dossier 1001